Rama: TVSH, lavazh truri qytetarëve në stilin sovjetik
Kreu i opozitës dhe drejtori i Televizionit Publik Shqiptar replikuan dje në distancë për këtë institucion. Edi Rama denoncoi abuzimin që po bëjnë, sipas tij, pushtetarët aktualë. "Ku, njësoj si në kohët më të errëta të Sali Berishës së Parë, paratë e të gjithë shqiptarëve po keqpërdoren çdo ditë për ta menaxhuar këtë pronë publike si një vitrinë për Sali Berishën e Dytë dhe shpurën e oborrtarëve të tij", tha Rama. Ai nënvizoi se Shqipëria nuk e meriton shfaqjen e turpshme që Televizioni Publik Shqiptar po jep përditë, duke cenuar dinjitetin e këtij vendi me injorancën, servilizmin dhe prapambetjen dëshpëruese. "Ky ekran antidemokratik është një tallje e madhe me njerëzit e këtij vendi. Televizioni Publik Shqiptar është konkurrenti më i pandershëm e më i dëmshëm në tregun e informacionit dhe pasqyra më besnike e vulgaritetit të politikës së vjetër të këtyre 18 vjetëve tranzicion", u shpreh Rama. Sot, shtoi ai, kur kanë mbetur edhe 156 ditë nga dita e ndryshimit të madh e të shumëpritur për çdo shqiptar e shqiptare, që e do Shqipërinë si gjithë Evropa dhe jo si montazhet e reportazhet sovjetike të Televizionit Publik Shqiptar. Rama i bëri thirrje drejtorit të Përgjithshëm të TVSH-së që të mos e menaxhojë këtë pronë publike si tribunën private të pushtetarëve të sotëm; të mos lejojë cenimin e mëtejshëm të lirisë e të së drejtës së çdo qytetari shqiptar për t‘u informuar sipas standardeve demokratike nga ky ekran. Sakaq, Drejtoria e Përgjithshme e Radiotelevizionit kundërshtoi deklaratën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. "Akuzat që drejtohen ndaj RTSH-së janë të pabaza dhe nuk përputhen me faktet reale. RTSH në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk ka censuruar as kryetarin e PS-së dhe asnjë nga drejtuesit socialistë, apo aktivitetet e kësaj force politike", thuhet në deklaratë. Përkundrazi, nënvizohet se në shumë raste aktivitetet e kryetarit të Partisë Socialiste janë pasqyruar të plota dhe në mënyrën që i ka sjellë zyra e shtypit e Partisë Socialiste.