E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, përplasje PD-PS për komisionin monitorues

Ndryshe nga Komisioni i Jashtëm, i cili ka miratuar me konsensus projekt-rezolutën për BE-në, kjo frymë bashkëpunimi nuk ka funksionuar në Konferencën e Kryetarëve, ku është diskutuar çështja e zgjedhjeve, megjithëse mbledhja ka qenë pothuajse në të njëjtën orë. Dy partitë e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, nuk arritën të gjejnë dot gjuhën e përbashkët, kur bëhet fjalë për zgjedhjet e qershorit. Kështu që Konferenca e Kryetarëve nuk ka arritur dje në një emërues të përbashkët për sa i përket kërkesës së bërë nga opozita, për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili do të shërbeje për të monitoruar përgatitjen e procesit zgjedhor. Mbledhja ka zgjatur për më shumë se një orë dhe është zhvilluar pa praninë e mediave, por burime nga konferenca bëjnë të ditur se debati mes nënkryetarit të grupit të PS-së, Erjon Braçe, dhe përfaqësuesit të mazhorancës, Patozi, por edhe Kryetares së Kuvendit, Topalli, ka qenë mjaft i ashpër. Parimisht, si mazhoranca, ashtu edhe opozita, kanë rënë dakord për ngritjen e këtij komisioni, por kur është bërë fjalë për modalitet, ky konsensus ka munguar. Kjo pasi PS-ja nuk ka pranuar propozimin e PD-së, që komisioni të drejtohet nga dy bashkëkryetarë. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, është shprehur se një format i tillë është i panevojshëm, pasi mazhoranca nuk ka pse të ketë një bashkëkryetar, përderisa qeveria, veprimet e të cilët do të monitorohen, i përket PD-së. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Patozi, ka deklaruar se PD-ja, si çdo grup tjetër parlamentar, ka të drejtë të ushtrojë kontrollin e saj mbi qeverinë, veçanërisht për procesin zgjedhor. Sipas tij, në praktikën parlamentare gjatë këtyre viteve, komisionet e posaçme janë drejtuar me bashkëkryetarë dhe ky rast nuk duhet të bëjë përjashtim. Por Kryetarja e Kuvendit, kur ka parë që debati mes mazhorancës dhe opozitës nuk po arrinte në një përfundim të njëjtë, ka ndërhyrë duke kërkuar ndërprerjen e Konferencës së Kryetarëve. Ajo u ka kërkuar palëve të nisin bisedimet për gjetjen e konsensusit, në mënyrë që komisioni i posaçëm për monitorimin e përgatitjes së procesit zgjedhor të nisë sa më shpejt funksionimin dhe të ketë mbështetjen e të gjitha palëve. Para pak ditësh, PS-ja ka bërë publik kërkesën e saj për ngritjen e një komisioni të posaçëm, për të monitoruar përgatitjen e procesit zgjedhor, duke e depozituar atë në protokollin e Kuvendit. Sipas rregullores, kjo kërkesë shqyrtohet në Konferencës e Kryetarëve, ku i jepet edhe përgjigjja zyrtare.

Braçe është shprehur se një format i tillë është i panevojshëm, pasi mazhoranca nuk ka pse të ketë një bashkëkryetar, përderisa qeveria, veprimet e së cilës do të monitorohen, i përket PD-së



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›