E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, plas sherri në PD

Partia Demokratike përfshihet në një lum akuzash të ndërsjella mes vetes, të cilat vijnë në prag fushate zgjedhjesh. Ajo që deri dje thuhej nën zë brenda kampit blu, mori formë zyrtare nga përplasja online e dy demokratëve, një tropojani dhe një shkodraneje. Duket se me afrimin e zgjedhjeve, ka marrë përmasë reale konflikti i brendshëm që realisht ekziston për caktimin e listave për deputetë.

Dy nga figurat kryesore të selisë blu, pikërisht Kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe deputeti Aleksandër Biberaj, kanë hedhur dje një lumë akuzash në adresë të njëri-tjetrit. Gjithçka ka ardhur pas shkarkimit të papritur të deputetit Biberaj nga detyra e kreut të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Biberaj e ka cilësuar këtë akt si shkelje të rregullores së Kuvendit. Pas kësaj, kreu i Parlamentit ka avancuar sulmin, duke akuzuar zv/presidentin e Asamblesë së KE-së për abuzime me fondet publike, që lidhen me biletat e udhëtimit, duke kërkuar zëvendësimin e tij nga përfaqësimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Ndërkaq, nga ana tjetër, deputeti demokrat, Aleksandër Biberaj, kundërpërgjigjet se Kryetarja e Parlamentit po thyen rregulloren e Kuvendit.

Kryeparlamentarja

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka nisur një proces investigimi për të zbuluar korrupsionin brenda Partisë Demokratike. Nëse kjo është lufta e të fortëve kundër korrupsionit, apo konflikti i hapur për listat e deputetëve për zgjedhjet e 28 qershorit, ngelet për t`u parë në ditët në vazhdim. Duket se nw PD po zbatohet parimi i pashkruar, se për të dominuar në politikë duhet që të atakosh patjetër edhe njeriun me të cilin ‘ha bukë‘. Në rastin konkret, Kryetarja e Kuvendit nuk do të tregojë vetëm se është një grua e bukur, por edhe e pushtetshme, që të marrë pa e argumentuar një herë në grupin parlamentar demokrat propozimin e saj për të shkarkuar zv/presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të KE-së. Ambicia e saj për të bërë zap 130 burra në Kuvend nuk e ka ndaluar të merret edhe me burrat e partisë së saj. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, e ka cilësuar veprimin e Topallit si xhelozi të verbër politike, duke shtuar se "Topalli po vepron si Stalini me Zhukovin, duke e shkarkuar në ajër, pasi deputeti Biberaj ishte duke u kthyer nga SHBA, ku ndodhej për të ndjekur ceremoninë e inaugurimit presidencial". Kryetarja e Kuvendit ka pohuar se ka njoftuar edhe kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, për propozimin e zëvendësimit të Aleksandër Biberajt me Ilir Rusmalin, ndërsa nga ana tjetër zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, pohon se "grupi parlamentar i PD-së ende nuk është i informuar mbi një vendim të tillë dhe nuk ka asgjë zyrtare për të deklaruar për momentin". Nuk dihet ende se deri në ç`pikë do të vazhdojë hetimi i Kryeparlamentares, se sa deputetë të korruptuar nga ata që abuzojnë me rreth 3000 euro ka gjithsej Kuvendi. Gjuetia tashmë ka nisur, dhe pushkën e ka marrë në dorë Jozefina Topalli, të cilës duket se i leverdis një gjueti e tillë, pasi është një rrugë e mirë për të larë hesapet. Por a do t‘i leverdisë kjo luftë Partisë Demokratike dhe Sali Berishës?

Qëndrimi i Biberajt

Letra e Kryeparlamentares Jozefina Topalli drejtuar Strasburgut për të zëvendësuar kryetarin e Asamblesë së KE-së dhe anëtarin e delegacionit shqiptar, Aleksandër Biberaj, ka ndezur gjakrat brenda PD-së. Zv/presidenti i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj, i ka kthyer përgjigje Kryetares së Kuvendit, në të cilën është shprehur se "duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit, rezulton se Topalli e ka shkelur në mënyrë flagrante rregulloren e Kuvendit, ka anashkaluar Kuvendin, si dhe ka marrë kompetencat e Kuvendit, gjë që përbën një precedent tepër të rrezikshëm për një vend demokratik". Sipas rregullores së Kuvendit, neni 7, pika 3, thuhet se "Kryetari i Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e anëtarëve dhe të kryesive të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e delegacioneve pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i mëvonshëm në to i njoftohen Kuvendit në seancën plenare më të parë. Në rast kundërshtimesh, Kuvendi vendos me votim të hapur". Sipas deputetit demokrat, Aleksandër Biberaj, kjo procedurë nuk është zbatuar. "Letra e Topallit është dërguar në Strasburg përpara datës 19 janar 2009, ndërkohë që Kuvendi, i mbledhur në seancën e parë më datë 19 janar 2009, nuk është njoftuar për përmbajtjen e kësaj letre", shprehet ai. Në vitin 2005, deputeti Biberaj është votuar nga Kuvendi si kryetar dhe anëtar delegacioni dhe është vetëm Kuvendi ai që mund të vendosë ndryshe. Lidhur me shkeljen e rregullores, anashkalimin e Kuvendit dhe marrjen e kompetencave të Kuvendit nga drejtuesja e Parlamentit, deputeti Biberaj bëri me dije se ka njoftuar zyrtarisht drejtuesit më të lartë të Asamblesë Parlamentare të KE-së.

Kreu i Kuvendit

Topalli: Biberaj ka kryer

shkelje financiare

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së bërë nga deputeti Aleksandër Biberaj, i cili kundërshton shkarkimin e tij nga delegacioni i KE-së. Në faqen e Kuvendit bëhet i ditur qëndrimi zyrtar i Topallit, e cila thekson se shkarkimi i Biberajt ka ardhur pas shkeljeve financiare që ai ka bërë gjatë këtyre tri viteve. "Arsyeja kryesore e këtij zëvendësimi vjen për shkak të shkeljeve të rënda financiare të udhëtimeve që Biberaj ka bërë në mënyrë të paautorizuar, në emër të Kuvendit dhe që nuk kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e rregullt të delegacionit në seancat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Këto të fundit janë miratuar gjithmonë nga Kuvendi. Rasti i sjelljes së Biberajt është rast unik", thuhet në njoftimin e botuar në faqen zyrtare të Kuvendit. Më tej theksohet në njoftim se Kryetarja e Kuvendit ka mbështetur vazhdimisht dhe ka miratuar pjesëmarrjen e delegacionit, përfshi këtu edhe Biberajn, në çdo sesion parlamentar të Këshillit të Evropës, në respekt të këtij institucioni. Madje në disa raste ka miratuar edhe udhëtime jashtë sesionit parlamentar të anëtarëve të delegacionit edhe në aktivitete të tjera të KE-së. Kryetarja e Kuvendit ka sqaruar se vendimi është marrë pasi ajo është konsultuar me kryetarin e Grupit parlamentar të PD-së, siç e parashikon edhe neni 7, pika 3 e Rregullores së Kuvendit, duke i dërguar letër Këshillit të Evropës për zëvendësimin e Aleksandër Biberajt me një deputet tjetër. Kuvendi sqaron se në çdo fillim viti, në bazë të rregullores, Kryetarja Topalli konfirmon delegacionet parlamentare në KE dhe BE. Gjatë këtij shqyrtimi, emri i Biberajt nuk është konfirmuar, ndaj ai nuk mund të jetë më anëtar i delegacionit të KE-së.

Përgjigjja

Reagon ashpër deputeti:

Kuvendi të më hetojë

Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, i është kundërpërgjigjur Kryetares së Kuvendit për shpenzimet e udhëtimeve të tij. Kryeparlamentarja Topalli dhe deputeti Biberaj kanë zgjedhur internetin për t`ju kundërpërgjigjur njëri-tjetrit. Deputeti Biberaj bën me dije se do të kërkojë komision hetimor parlamentar për të verifikuar shpenzimet që nënkryetarja e PD-së pretendon se janë shpërdoruar prej tij, duke shtuar se në të njëjtën kohë do të kërkojë edhe verifikimin e shpenzimeve për udhëtimet e Kryetares së Kuvendit. Zyra e shtypit e deputetit demokrat, Aleksandër Biberaj, sqaron se "deputeti Biberaj është i hapur dhe transparent për çdo lloj verifikimi të shpenzimeve". Përgjigjet dhe kundërpërgjigjet e deputetit Biberaj me nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topalli, janë bërë nëpërmjet e-mailit dhe faqes së Kuvendit online.

"Lidhur me shpifjet e ulëta, që fatkeqësisht janë botuar në faqen zyrtare të Kuvendit, institucion që kurrsesi nuk mund të keqpërdoret deri në këtë masë, unë sqaroj se çdo udhëtim zyrtar i imi është i protokolluar dhe në data-base të Këshillit të Evropës", u shpreh Biberaj. Ai ka bërë me dije se Kryetarja e Kuvendit, që prej tre vjetësh është përpjekur sistematikisht të pengojë aktivitetet jashtë Shqipërisë. "Shpenzimet për të cilat shpif Topalli, janë takime zyrtare, të cilat unë i kam përballuar me shpenzimet e mia, pasi Kryetarja e Kuvendit nuk është përgjigjur", theksoi Biberaj.

Deklarata

Islami: Topalli veproi gabim

Shkarkimi i Aleksandër Biberajt nga delegacioni i KE-së është kundërshtuar nga deputeti i PS-së, Kastriot Islami, i cili është anëtar i delegacionit shqiptar në Strasburg. Gjatë një konference për shtyp, Islami i ka bërë thirrje Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të rishikojë kërkesën, pasi rregullorja parashikon që ndërrimi i delegacionit duhet të bëhet në konsultim me kryetarët e grupeve parlamentare. Islami ka theksuar se ai nuk kërkon të mbrojë deputetin Biberaj me këtë qëndrim, por i ka bërë të ditur opinionit publik qëndrimin dinjitoz dhe vlerësimet mjaft pozitive që ai ka marrë në KE si nga deputetët e ndryshëm të Këshillit të Evropës, ashtu edhe nga administrata. Sipas Islamit, ky veprim i kryer tani nga Kryetarja Topalli ndaj deputetit Biberaj nuk shkon pasi kjo prish gjithë imazhin e krijuar prej gati tre vjetësh në Këshillin e Evropës.

Meta

Letra e Topallit,

një veprim absurd

Në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Integrimin, Ilir Meta komentoi konfliktin mes Jozefina Topallit dhe Aleksandër Biberajt. "Nëse ekziston një letër e tillë, do të ishte vërtet një absurditet i padëgjuar më parë, pasi unë mendoj që zoti Biberaj ka qenë tepër aktiv si përfaqësues në Këshillin e Evropës, në Asamblenë Parlamentare, theksoi ai. Njëkohësisht, vijoi Meta, nuk do ta kuptoja një gjë të tillë, pasi as Partia Demokratike, as Parlamenti ynë nuk i ka kaq të shumtë deputetët përfaqësues të nivelit të zotit Biberaj, për t‘i ndërruar herë pas here, dhe aq më tepër tani, kur Parlamenti ynë për tre muaj mbyllet", u shpreh Meta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›