Gjinushi: Pakti i Ramës nuk zgjidh krizën politike
Paketa e propozuar nga kreu socialist, Edi Rama, në formën e një pakti kombëtar, nuk bind as aleatët e vet. Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, duke komentuar propozimet e socialistëve, shprehet se ato nuk zgjidhin krizën politike, por mund të kthejnë në normalitet vetëm disa institucione, të cilat sipas tij rrezikojnë seriozisht të kalojnë nën varësinë e mazhorancës. “10 pikat janë vetëm për të kthyer në normalitet disa nga shtrembërimet që janë bërë në këto vite. Për të rifituar opozita disa të drejta të dhunuara; sigurisht që po të dhunohen të drejtat e opozitës, dhunohen parimet e demokracisë, prishet stabiliteti demokratik dhe as që bëhet fjalë për të ecur përpara. Pra, këto janë vetëm një hap. Por me të nuk mund të zgjidhet kriza dhe as të kthehet normaliteti me qeverinë që i ka shkaktuar, e cila tashmë ka hyrë në rrugën antiligj, antikushtetutë, antireformë dhe nuk del dot. Nuk mund t’i kërkosh qeverisë më të korruptuar në Europë, të luftojë korrupsionin”, - tha Gjinushi. Gjithashtu, ai shton se është naive apo dashakeqe që të thuash se konsensusi i munguar i opozitës në parlament për ligjet me 3/5-at e votave po pengon marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian.