E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama ftesë Berishës: Eja në debat për të gjitha çështjet

SHKRUAN: Fejzi Braushi 02-10-2011 12:31

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama fton rivalin e tij politik, kryeministrin Sali Berisha, në një debat të hapur publik për të gjitha çështjet që shtrohen sot për zgjidhje para Shqipërisë në kuadër të procesit integrues, por edhe të dy filozofive politike që përfaqësojnë forcat respektive që ata drejtojnë. Ftesa e Ramës ka ardhur nëpërmjet shkrimit të tij javor, të publikuar në faqen e tij zyrtare në internet, ku ndërmjet të tjerave kryesocialisti bën një replikë me të gjithë ata zëra të djathtë që kanë dalë kundër paktit 10-pikësh të propozuar nga selia rozë. Nëpërmjet këtij shkrimi që mban pikërisht titullin “Është koha për një debat publik”, lideri i opozitës kërkon të sqarojë ndër të tjera dhe faktin se propozimet e ardhura me anë të paktit dhjetë-pikësh nuk duhen parë si një pazar, por si një pikënisje për një bashkëpunim dypalësh për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ftesa

Për t’i prerë rrugën çdo keqinterpretimi në lidhje me të gjitha propozimet që ka bërë Partia Socialiste, jo vetëm si pjesë e paktit dhjetë-pikësh, por edhe të mënyrës së qeverisjes dhe sfidave të tjera, kryetari i Partisë Socialiste gjykon se ka ardhur koha që ai vetë dhe kundërshtari i tij politik, shefi i mazhorancës, të dalin në një debat të hapur për të ballafaquar të gjitha çështjet që ndajnë sot të djathtët dhe të majtët.

“Është koha kur Shqipërisë në udhëkryq i duhet një debat publik, ku Saliu dhe unë duhet të dalim të dy para shqiptarëve që përfaqësojmë dhe të ballafaqojmë ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç. Le të vijë e të m’i thotë në sy ato që flet gojështhurur lart e poshtë për bllokimin e vizave, bllokimin e integrimit, bllokimin e reformave, dhe le ta debatojmë para shqiptarëve ofertën tonë pikë për pikë, nga 1-shi tek 10-ta”, - shprehet Rama në shkrimin e vet. Pjesë e kësaj përballjeje, thekson Rama, duhet të bëhen dhe akuzat që secila palë i ka bërë tjetrës për arritjet dhe mosarritjet e procesit integrues dhe përgjegjësitë që kanë palët në të. “Le të vijë e të m’i tregojë në sy, para opinionit publik po të dojë, të gjitha arritjet historike të demokracisë, drejtësisë, ekonomisë, nën udhëheqjen e vet legjendare, dhe ta debatojmë para shqiptarëve se sa të lumtur i ka bërë njerëzit qeveria e tij në këta gjashtë vjet”, - shprehet Rama. Natyrisht, ai fton Berishën që këtë debat ta shndërrojë edhe në një arenë të shpalosjes së filozofisë politike që ka secili prej tyre për çështjet më madhore, dhe që janë baza e një sistemi demokratik. “Le të vijë e ta bëjë publike përballë meje kundër-ofertën e tij, natyrisht nëse e ka një të tillë për të kërkuar mirëkuptimin e opozitës që të mbushen gropat e thella që Shqipëria ka përpara në rrugën e integrimit. Jam gati të mbroj ofertën tonë, të tregoj me prova, fakte, shifra të vërtetën e keqqeverisjes së këtyre gjashtë vjetëve, të dëgjoj me vëmendje të plotë kundër-ofertën, nëse kjo ekziston. Shqiptarët pastaj le të na dëgjojnë e gjykojnë”, - thekson Rama duke sfiduar në këtë mënyrë kryeministrin Berisha.

Pakti

Më tej, Rama në shkrim nuk lë pa komentuar edhe paktin që ai i propozoi shumicës qeverisëse, të cilin e konsideron si një mundësi për mazhorancën që të ulet dhe të bisedojë me kundërshtarin politik për çështje që kanë të bëjnë me interesat e vendit. “Oferta jonë prej 10 pikash për një ‘Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa’ është hapi ynë i parë. Kemi shtrirë dorën drejt palës tjetër për të shmangur një shuplakë tjetër të Europës ndaj Shqipërisë dhe për të dalë nga rrethi vicioz ku na mban kyçur të gjithëve politika e vjetër e njëzet vjetëve kacafytje. Nga pala tjetër kemi marrë vetëm shpotitje, fyerje, shpifje dhe konfirmimin e rrethit vicioz si e vetmja alternativë që kanë. S’ka problem. Ata le të shpotisin propozimet tona, ne do vazhdojmë të bëjmë propozime”, - thotë Rama, ndërsa kërkon edhe njëherë në mënyrë këmbëngulëse qëndrimin zyrtar të qeverisë për këtë pakt. Duke folur për këtë çështje, ai hedh poshtë gjithë sa është thënë këto ditë për këtë pakt, duke mohuar në mënyrë kategorike interpretimet se kjo është një ftesë për pazar. “Oferta jonë për një pakt që duhet të jetë pikënisja e një marrëdhënieje të re politike në Kuvendin e Shqipërisë e në jetën publike, s’është pazar i pistë siç e pagëzoi një altoparlant i Saliut në parlament, po vizion i kthjellët europian”. Rama është përpjekur të hedhë poshtë edhe të gjitha kritikat që i kanë ardhur PS-së për bojkotin që grupi i saj parlamentar i ka bërë në vijimësi Kuvendit. Ai ka theksuar se bojkoti ishte një gjë e nevojshme për të ndërkombëtarizuar çështjen e vjedhjeve të zgjedhjeve dhe pushtetit në Shqipëri, por duke pranuar në të njëjtën kohë edhe se ai e penalizoi PS-në. “Mund t’i kthehemi sa herë të doni bojkotit gjashtëmujor që pasoi refuzimin për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të qershorit 2009. Kemi bërë gjënë e duhur dhe jemi plotësisht të qetë me ndërgjegjen tonë qytetare e opozitare. Kemi marrë pa dyshim koston e pashmangshme të mbrojtjes së lirisë së kërcënuar në kushtet e një shurdhërie të gjithanshme. Kemi paguar edhe çmimin tonë pa asnjë ngurrim”, - shprehet Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›