Topuzi: Biznesi i turizmit 2011 pësoi rënie me 20%
Biznesi shqiptar i turizmit këtë vit ra me 20%”, - shprehet presidenti i Sektorit të Hoteleve të Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), Zak Topuzi. Sipas tij, viti 2011 ka qenë një vit sfide për turizmin shqiptar. Për herë të parë, industria turistike u përball me një treg të hapur, me një Ballkan pa viza, ku njerëzit u vunë përballë shumë alternativash e zgjedhjesh e lëvizën më shpesh, por me më pak net qëndrimi, ku pushimet verore u kaluan në disa wekend-e, ku kriza reale greke solli paketa ekonomike 25-45 euro fullboard. Shqipëria u vu në provë dhe rezultoi se nuk përballoi dot as këtë radhë ndryshimet e mjedisit dinamik dhe konkurrues në të cilin operon, duke u sfiduar sërish nga Spanja e Greqia, ku maqedonasit gjetën parajsën greke, shqiptarët populluan Korfuzin e bregdeti shqiptar rezultoi me një sezon të ‘lodhur’”, - thotë Topuzi. Sipas tij, ndonëse Pogradeci dhe Shëngjini përmirësuan cilësinë dhe rritën numrin e turistëve, këto dy zona nuk arritën dot të përmbysin rezultatin dhe turizmi u përball me një rënie rreth 20 % të biznesit. Duke konsideruar të dhënat e kësaj vere, president i Sektorit të Hoteleve të ATA-s, Topuzi thotë se, “është e disata herë që ATA këmbëngul në orientimin që do të marrë zhvillimi i turizmit në vend, por prej mesazheve të këtij viti, themi me siguri të plotë se turizmi është larg të qenit prioritet. E themi këtë me siguri, sepse investimet e mëdha në rrugë nuk dhanë impaktin e duhur dhe kjo është pa dyshim rezultat i mungesës së orientimit në zhvillim. Flitet për konkurrim përmes turizmit të diellit e rërës dhe harrojmë që kjo duhet kuptuar nga të gjithë. Tani për tani jemi shumë larg prej këtij koncepti, pasi jo vetëm nuk i kemi kapacitetet, por dhe ato që kemi nuk kanë standarde”. Topuzi kritikon politikën për këtë gjendje të industrisë së turizmit në vend, duke u shprehur se, megjithëse flitet për turizëm, zgjedhjet dhe politika në tërësi i grabisin terrenin biznesit të turizmit, duke nisur në pranverë e duke përfunduar në zemër të një sezoni plazhi. “Flitet për turizëm, por ende nuk i jepet zgjidhje TVSH-së dhe ligjit. Ende nuk kemi kategorizim biznesesh, për të mos folur këtu për klasifikim dhe standarde. Flitet për turizëm, por kaluam një sezon të tërë pa ministër. Flitet për turizëm, por nuk dëgjohen askund politika për turizmin. E ndërsa privati e dha shembullin e tij me disa plazhe cilësore apo investime modeste, të cilat i realizon me shumë mund dhe sforco, sfidat e turizmit shqiptar do të vazhdojnë të mbeten të shumta nga moskompetenca e shtetit”, - tha Topuzi. Megjithatë, sektori i turizmit, pavarësisht se në hapat e parë, është një nga sektorët që pritet t’i japë më shumë ekonomisë shqiptare. Turizmi shqiptar po promovohet nga shumë sajte të huaja prestigjioze, duke u cilësuar si vendi i parajsës dhe një nga vendet më ekzotikë në Europën Juglindore.