E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Qeveri me bazë të gjerë

27/10/2009  Kreu socialdemokrat zbardh kushtin për mazhorancën

“Bashkëqeverisja kalon në plan të dytë hapjen e kutive”

“E vetmja marrëveshje që mund të bëhet është pikërisht shapen kutitë, por kalojmë në zgjidhje politike. Apelin e Brukselit kështu e kam kuptuar. Qeveria të gjejë zgjidhje. Cila është zgjidhja? Në qoftë se e pranojnë zgjidhjen politike, atëherë do apo sdo hapja e kutive kalon në plan të dytë, pasi shkohet drejt një kompromisi të madh. Të dyja palët pranojnë bashkëqeverisjen, pranojnë përgjegjësinë e përbashkët, pranojnë kryerjen e reformave dhe e çojnë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Ky ishte qëndrimi i ardhur dje nga kreu socialdemokrat Skundër Gjinushi. Sipas tij, nëse hapen kutitë e votimit, zgjedhjet e parakohshme nuk mund të evitohen më, sepse qeveria aktuale humbet legjitimitetin dhe vetëm një qeveri me bazë të gjerë mund ti organizojë zgjedhjet e parakohshme. Ndaj, sipas tij, opozita mund të tërhiqet nga hapja e kutive të votimit vetëm në një rast: nëse krijohet një qeveri me bazë të gjerë, që përgatit standarde europiane për zgjedhjet e parakohshme. “Hapja e kutive imponon një zgjidhje politike, sepse do bëhet një lexim më i drejtë. Vetë leximi do të theksojë qartazi se duhet një qeveri e përbashkët, e balancuar, një qeveri që përfaqëson të gjitha votat e dhëna dhe për të garantuar zgjedhjet e radhës të lira dhe të ndershme dhe të standardit evropian. Patjetër që ato smund të jenë pas katër vjetësh”, - u shpreh Gjinushi. Sipas tij, Shqipëria nuk mund të presë dhe katër vjet të tjerë për të kapur standardet zgjedhore. “Automatikisht pyetja që bëhet është: a ka shqiptar që mendon se zgjedhjet lokale të radhës, nëse nuk ndryshohet asgjë, nëse ka një dështim të bojkotit dhe me ketë qeveri, do të jenë të lira e të ndershme? Të tërë do të përgjigjen “jo”. Bëhet një herë pyetja: a do të ketë zgjedhje? Në qoftë se ato zgjedhje sjanë të standardeve që sot diskutohet, atëherë pyetja: a do të bojkotohen është e tepërt”, - vuri në dukje Gjinushi, duke theksuar në të njëjtën kohë jo vetëm qëndrimin e palëkundur të së majtës për bojkot ndaj institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, por dhe për një bojkot të mundshëm edhe të zgjedhjeve të ardhshme.

Protestat e PS-së

Përfaqësues të së majtës e të së djathtës pritet të stacionohen këtë javë në qytetin e Fierit, ku përmes protestës qytetare të radhës do të vijojnë të kërkojnë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë në axhendën mbi zhvillimin e këtyre protestave lidershipi i Partisë Socialistë ka menduar që të intensifikojë manifestimet. Kështu, pritet që protestat të jenë shpeshta, me qëllim që gjatë kësaj periudhe deri më 20 nëntor të mund të zhvillohen manifestimet në të gjitha qarqet. Sikundër dihet, lidershipi socialist përpos kërkesës së bërë të ditur tashmë për hapeje e kutive të votimit ka zbardhur tashmë dhe një tjetër element të kësaj nisme të ndërmarrë nga kampi opozitar, e konkretisht organizimin në kryeqytet të një proteste, e thirrur si “barrrikadë njerëzore”, e cila do të mbyllë të gjithë ciklin e manifestimeve mbi këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›