E Diel, 1 Nëntor 2026

Kritikët e Ramës drejt Kuvendit

27/10/2009  Përfaqësuesit e mendimit ndryshe projektojnë strategjinë e tyre

Punohet për propozimet mbi programin dhe statutin e partisë

Zhvillimet brenda kampit rozë do të jenë të fokusuara dhe më tej në kundërvënien mes radhëve socialiste. Kështu, përplasjet mes dy rrymave në PS lidhur me bojkotin e Kuvendit kanë detyruar kundërshtarët e këtij vendimi të ndërmarrin të tjerë hapa pas turit të takimeve me bazën socialiste, i cili aktualisht është ndërprerë për shkak të protestave që lidershipi i kësaj partie ka ndërmarrë për transparencë të votës. Ndërkohë, ndalur në veprimet që pritet të ndërmarrin përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS, burime pranë këtij grupimi bënë me dije për gazetën se kërkesa për pjesëmarrje në Kuvend do të vijojë të jetë prezente, si e vetmja rrugë që duhet të ndjekë PS-ja. Por në realizimin e kësaj kërkese përfaqësuesit e mendimit ndryshe kanë nisur punën për hartimin e një projektplani, në të cilin pritet të jenë të përfshira një sërë kërkesash, duke nisur që nga programi politik i kësaj partie e deri te ligjet mbi të cilat vepron PS-ja, pra statuti. Në këtë mënyrë, krahas qëndrimit të tyre të deklaruar tashmë, kundërshtarët e Ramës do të kërkojnë ndryshime të tjera në këto dy drejtime, duke paralajmëruar njëkohësisht hapat që priten të hidhen në të ardhmen në rast refuzimi nga kupola rozë të këtij drafti. Një draft i tillë pritet ti paraqitet forumit më të lartë vendimmarrës së PS-së mes dy kongreseve, që është Asambleja Kombëtare. Madje, pritet që të jetë pikërisht kjo mbledhje e këtij forumi ajo që do të zgjedhë anëtarët e rinj të kryesisë, si dhe do të miratojë Sekretariatin e ri Ekzekutiv të PS-së. Por njëkohësisht paralel me punën për hartimin e këtij drafti mësohet se përfaqësuesit e mendimit ndryshe kanë nisur dhe një tjetër lëvizje, përmes të cilës synojnë të argumentojnë kthimin e tyre në Kuvend. Kështu, deputetët që janë pjesë e lëvizjes për mendimin ndryshe në PS kanë nisur mbledhjen e firmave në zonat që u zgjodhën për të qenë pjesë e legjislativit. Prej pak ditësh deputetët socialistë kanë nisur takimet informale me votuesit e tyre, me qëllim që veç sqarimeve mbi arsyet pse PS-ja duhet të jetë në Kuvend, të plotësojnë dhe formularin me firmat e mbështetësve socialistë. Ky formular është i konceptuar në formën e një peticioni ku vetë anëtarët dhe votuesit socialistë kërkojnë që të zgjedhurit e tyre në garën elektorale të 28 qershorit të jenë pjesë e legjislativit të ri. Kështu, pritet që të jetë pikërisht ky një tjetër hap që përfaqësuesit e mendimit ndryshe të ndërmarrin, në rast se linja zyrtare në PS-së do të vijojë të mbajë të pandryshueshëm qëndrimin për bojkot të Kuvendit. E nëse do të kemi një kthim të tyre në Parlament, ata do të quhen të vetëpërjashtur për shkak të thyerjes së vendimit politik të PS-së.

Drafti

Përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste po punojnë për hartimin e një drafti, në të cilin pritet të përfshihen propozime për dy nga çështjet kryesore të axhendës politike të kësaj partie. Kështu, propozimet do të jenë mbi programin politik të partisë. Gjithashtu në draft do të përfshihen dhe kërkesat për ndryshime në statut, ku veç propozimeve të deklaruara priten dhe disa kërkesa të reja.

Firmat

Deputetët që janë pjesë e lëvizjes për mendimin ndryshe në PS kanë nisur mbledhjen e firmave në zonat që u zgjodhën për të qenë pjesë e legjislativit. Prej pak ditësh deputetët socialistë kanë nisur takimet informale me votuesit e tyre, me qëllim që veç sqarimeve mbi arsyet se pse PS-ja duhet të jetë në Kuvend të plotësojnë dhe formularin me firmat e mbështetësve socialistë, ku kërkohet pikërisht ndërmarrja e një veprimi të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›