E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria pa problem mbi liritë fetare

27/10/2009  Çështja e pronësisë ende pa zgjidhje. Pezull leja e ndërtimit për Xhaminë në Tiranë

Në raportin mbi të drejtat dhe lirinë fetare Shtetet e Bashkuara theksojnë se në Shqipëri nuk ka pasur probleme mbi ushtrimin e së drejtës. Ndërkohë evidentojnë faktin se nuk ka shifra të sakta apo regjistrim ku të saktësohet përkatësia fetare që prej vitit 1939. I vetmi problem që përmendet në këtë raport është përjashtimi i tre besimtarëve nga gjimnazi, pasi nuk pranonin të hiqnin perçen. Ndërsa shtohet se ende Komuniteti Mysliman nuk e ka marrë lejen për ndërtimin e një xhamie, pavarësisht se toka është gjetur.

Në raport theksohet se qeveria e SHBA-ve diskuton mbi lirinë fetare me qeverinë si pjesë e politikës së saj të gjithanshme për nxitjen e të drejtave të njeriut. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështeti përpjekjet e Komitetit Shtetëror për Kultet për të zhvilluar dhe plotësuar marrëveshje dypalëshe midis shtetit dhe disa bashkësive fetare. Zyrtarë të ambasadës ishin aktivë në promovimin e tolerancës fetare, duke sponsorizuar qendra ndërfetare në Shkodër, Elbasan dhe Tiranë si dhe duke angazhuar të rinj, gra dhe anëtarë të bashkësive në veprimtari të përbashkëta, si seminare dhe mbledhje komunitare. Gjatë periudhës së raportimit ambasada dërgoi një udhëheqës të njohur fetar në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet Programit të Udhëheqësisë së Vizitorit Ndërkombëtar. Zyrtarë të ambasadës vazhduan të nxitnin qeverinë të trajtonte pretendime për prona fetare dhe t’u kthente ndërtesa, toka dhe prona të tjera grupeve fetare, që i kishin humbur ato gjatë sundimit komunist”, - thuhet në raport.

Raporti i Shteteve të Bashkuara

Kushtetuta garanton lirinë e fesë dhe ligje e politika të tjera kontribuan për ushtrimin e lirë të fesë. Qeveria përgjithësisht respektoi liritë fetare në praktikë. Nuk pati ndryshim në statusin e respektimit për lirinë fetare nga qeveria gjatë periudhës së raportimit.

Nuk pati raportime për abuzime apo diskriminim shoqëror mbi bazë identifikimi, besimi apo ushtrimi fetar.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës diskuton mbi lirinë fetare si pjesë e politikës së saj të përgjithshme për të mbështetur të drejtat e njeriut.

Seksioni I. Demografia fetare

Vendi ka një sipërfaqe prej 11,100 milje katrore dhe një popullsi prej 3.6 milionë. Nuk kishte në dispozicion të dhëna të besueshme mbi pjesëmarrjen apo anëtarësinë fetare; regjistrimi i fundit zyrtar i popullsisë që përfshinte të dhëna të tilla ishte kryer në vitin 1939. Shumica e shtetasve nuk ushtrojnë ndonjë besim në mënyrë aktive, megjithatë katër grupet fetare tradicionale janë myslimanët (sunitë), bektashinjtë (një formë e sufizmit shia), të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë) dhe katolikët romakë. Gjithashtu ka edhe shifra thelbësore të feve protestante dhe grupeve të tjera fetare, përfshi bahait, dëshmitarët e Jehovait si dhe anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtëve të Ditëve të Mëvonshme (mormonët).

Komiteti Shtetëror për Kultet raportoi një total prej 245 grupesh, organizatash dhe fondacionesh fetare, përpos katër grupeve tradicionale fetare. Kjo shifër përfshinte 34 organizata islamike dhe 189 organizata protestante, shumica prej tyre me lidhje me Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare

(VUSH).

Seksioni II. Statusi i respektimit nga qeveria për lirinë fetare.

Kuadri ligjor/i politikave

Kushtetuta siguron lirinë e fesë dhe ligje e politika të tjera kontribuan për një ushtrim përgjithësisht të lirë të fesë. Ligji në të gjitha nivelet e mbron këtë të drejtë nga abuzimet si prej qeverisë, ashtu dhe prej aktorëve privatë.

Qeveria është shekullare. Sipas Kushtetutës, nuk ekziston një fe zyrtare dhe të gjitha fetë janë të barabarta, megjithatë bashkësitë mbizotëruese fetare (myslimanët sunitë, bektashinjtë, ortodoksët dhe katolikët) gëzojnë një shkallë më të madhe njohjeje zyrtare (p.sh., festat kombëtare) dhe statusi shoqëror bazuar mbi praninë e tyre historike në vend. Pushimet zyrtare përfshijnë ditët e shenjta për të katër besimet mbizotëruese.

Qeveria nuk kërkon regjistrim apo licencim të grupeve fetare, megjithatë Komiteti Shtetëror për Kultet ka të dhëna dhe statistika për organizatat fetare të huaja, që e kontaktojnë atë për ndihmë. Lëvizjet fetare mund të marrin status zyrtar të një personi juridik duke u regjistruar pranë gjykatës së rrethit të Tiranës sipas ligjit për organizatat jofitimprurëse, i cili njeh statusin e një shoqate jofitimprurëse, pavarësisht nëse organizata ka karakter kulturor, argëtues, fetar apo humanitar. Regjistrimi u jep grupeve fetare të drejtën të mbajnë llogari bankare dhe të zotërojnë prona.

Asnjë organizatë nuk raportoi ndonjë vështirësi në marrjen e lejeve të qëndrimit gjatë periudhës së raportimit. Megjithatë, si rregull i përgjithshëm, misionarëve të huaj u jepeshin leje qëndrimi njëvjeçare në vend të lejeve pesëvjeçare të lejuara për personat që banojnë në vend për më shumë se dy vjet. Komiteti vazhdoi të punonte me qeverinë mbi kriteret që do të lejonin leje qëndrimi deri në pesëvjeçare për organizata fetare të konsoliduara me lidhje afatgjata me vendin.

Neni 10 i Kushtetutës kërkon marrëveshje të veçanta dypalëshe për të rregulluar marrëdhëniet midis qeverisë dhe bashkësive fetare. Më 24 tetor 2008 qeveria nënshkroi marrëveshje me bashkësitë myslimane, ortodokse dhe bektashiane. Kisha Katolike ka pasur një marrëveshje të tillë me qeverinë qysh në vitin 2002. VUSH, një organizatë protestante-ombrellë, ka kërkuar të konkludojë një marrëveshje dypalëshe. Mes avantazheve të pasjes së një marrëveshje përfshihet njohja zyrtare e bashkësisë, rikthimi me përparësi i pronave dhe përjashtimi nga taksat. Mbështetja financiare nga qeveria dhe subvencionet shtetërore për pagat e klerikëve do të zbatohen bazuar mbi një ligj për financimin e bashkësive fetare miratuar më 5 qershor 2009.

Sipas Ministrisë së Arsimit, shkollat publike janë shekullare dhe ligji ndalon indoktrinimin ideologjik dhe fetar. Feja nuk jepet si mësim në shkolla publike. Sipas shifrave zyrtare, bashkësitë, organizatat dhe fondacionet fetare kishin 103 shoqata e fondacione lidhur me to, ku 101 prej tyre administronin 101 institucione arsimore, nga të cilat 15 ishin shkolla me lidhje zyrtarisht fetare. Me ligj, Ministria e Arsimit duhet t’i licencojë këto shkolla dhe programet mësimore duhet të përputhen me standardet kombëtare të arsimit. Grupet katolike dhe myslimane administronin shkolla të shumta të licensuara nga shteti dhe nuk raportuan problem për marrjen e licencave për shkolla të reja. Kisha Ortodokse dhe bektashinjtë administronin qendra arsimore ekskluzivisht fetare për trajnimin e klerikëve.

Kufizime mbi lirinë fetare

Përgjithësisht qeveria respektoi lirinë fetare në praktikë. Gjatë periudhës së raportimit nuk pati ndryshim në statusin e respektimit të lirisë fetare nga qeveria. Nuk ka ligj që ndalon mbajtjen e veshjeve apo simboleve fetare. Drejtorët e shkollave kanë të drejtë të përcaktojnë standardet për veshjen e përshtatshme, çka me raste përfshinte kufizime ndaj ekspozimit publik të simboleve fetare. Gjatë periudhës së raportimit tri nxënëse të shkollave të mesme publike u ndaluan të ndiqnin orët e mësimit ngaqë mbanin shami kokë.

Qeveria vazhdoi të trajtonte pretendimet nga secili prej katër grupeve tradicionale fetare lidhur me kthimin apo kompensimin e pronave të marrë gjatë epokës komuniste, megjithatë shumë nga pretendimet për prona mbetën të pazgjidhura. Pas marrëveshjeve të reja dypalëshe të nënshkruara Agjencia Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave u udhëzua t’u jepte përparësi pronave të zotëruara nga bashkësitë fetare. Kisha Ortodokse vazhdoi ndërtimin e një katedraleje të re në Tiranë mbi tokë që e mori si kompensim për tokën e marrë nga qeveria komuniste, por pati pretendime të tjera për prona në gjithë vendin.

Si Kisha Ortodokse, ashtu dhe Kisha Katolike përfshinë në pretendimet e tyre për kompensim ikona fetare dhe dorëshkrime të vyera marrë nga qeveria komuniste, të cilat mbeteshin në arkivat kombëtare. Komuniteti Islamik Shqiptar vazhdoi të kërkonte leje ndërtimi për një xhami të re në një tokë kthyer bashkësisë nëpërmjet procesit të kompensimit paskomunist. Kërkesa mbeti nën shqyrtim nga Bashkia e Tiranës. Nuk pati raportime për të ndaluar apo të burgosur fetarë në vend.

Nuk pati raportime për abuzime dhe diskriminim nga shoqëria me bazë identifikimin, besimin apo ushtrimin fetar. Nuk pati as raportime për akte domethënëse vandalizmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›