Gjinushi: Reforma zgjedhore me skenarin e 2009-s. Rama: Ndryshimi i sistemit, opsion i hapur

Skënder Gjinushi
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi ka reaguar lidhur me reformën zgjedhore që ka nisur prej pak kohësh. Gjinushi duke iu referuar ngritjes së Komisionit të Posaçëm, që u arrit me kompromisin e dy partive të mëdha PD-PS, ka deklaruar se reforma po ndërmerret me të njëjtin skenar siç u realizua ajo e vitit 2009 – ku sipas tij u penalizuan partitë e vogla.
Reformë e komanduar dhe parafabrikuar. E njëjta klimë dhe i njëjti skenarë si në 2009, ku paritë e mëdha në emër të reformës të mbrojnë sistemi si ai spanjoll që të deformojnë votën e shqiptarëve, u shpreh kreu i PSD-së.
Gjinushi akuzoi se dy partitë e mëdha po vjedhin partitë e vogla me anë të sistemit zgjedhor për këtë ai e konsideron si të dështuar që tani këtë reformë.
140 mijë vota nuk janë përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë, që do të thotë se janë deformuar 15 mandate, ku maxhoranca sot qeveris me 4 vota plus. Unë e kuptoj PD që nuk ka qenë kurrë e interesuar për zgjedhje të lira. Po ne nuk kuptojmë qëndrimin e PS-së e cila nuk mund të justifikohet se nuk do PD-ja. PS nuk mund të bëjë një reformë nën udhëheqjen e PD-së, ka nënvizuar Gjinushi.
Lidhur me këtë deklaratë të Gjinushit ka reaguar kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Kreu i PS-së theksoi se mbetet i hapur për çdo propozim të partive të vogla opozitare. Dua të përsëris vullnetin e plotë të PS-së për të dëgjuar dhe dakordësuar me të gjitha partitë e vogla për ndryshimin e sistemit zgjedhor, u shpreh Rama.