Nishani: Hetimin ta bëjë policia, jo prokuroria. Ina Rama: Këto gjëra i ka ndarë Kushtetuta
Ministri i Brendshëm hedh idenë e dhënies së kompetencave hetimore strukturave të rendit. Dueli me prokurorinë për çështjen e 21 janarit dhe mendimi i juristëve për përplasjen institucionale dhe kushtetuese. Përgjigjet kryeprokurorja Ina Rama: Këto janë gjëra të përcaktuara në Kushtetutë. Ajo i ka thënë prokurorisë të drejtën e hetimit. Ne kemi një marrëveshje reciproke me policinë
Nga Sebi Alla*
Nuk është nga ata ministra që u shket goja lehtë, që thotë broçkulla pa i menduar dhe më pas mundohen ti justifikojë. Nuk ishte as momenti për një shkarje të tillë, megjithatë ai e lëshoi bombën, që në fakt nuk bëri as shumë zhurmë, a shumë tym. Kërkohet që hetimet dhe thuajse i gjithë procesi hetimor, të kalojë në duar të policisë, duke shmangur prokurorinë. E thënë kjo nga goja e ministrit të Brendshëm, nuk kaloi pa u vënë re, por si jurist që është nuk hezitoi që të shprehej se ky ishte një mendim dhe i takonte njerëzve të drejtësisë dhe medias për ta elaboruar më shumë. Fjalët nuk ishin të pamenduara, as momenti nuk dukej se ishte i papërshtatshëm. Sepse kjo deklaratë ndodhi pikërisht pak orë pasi prokuroria ankohej se për çështjen e 21 janarit, policia jo vetëm që nuk kishte ndihmuar, por po hetohet edhe për fshehje të provave. Për më shumë, e shkuara e afërt tregon se policia që direkt dhe indirekt varet nga qeveritë, di të bëjë çudira, në shërbim të pushtetit. Dhe ndoshta i ashtuquajturi institucion i pavarur si prokuroria, nëse ndryshohet ligji për hetimet, do ti mbesë të interpretojë vetëm materialet policore, pa guxuar të futet më thellë.
Që ka një përplasje polici-prokurori, kjo është herë e dukshme dhe herë e fshehur dhe në çaste të ndryshme e nxjerr kokën, sidomos për çështje të ndjeshme. E ndodhur para një fakti kokëfortë: Nuk po mundet të vendosë para përgjegjësisë shkaktarët dhe vrasësit e katër qytetarëve në trazirat e 21 janarit, prokuroria lëshoi një deklaratë. E shkurtër, por domethënëse. Sipas institucionit të akuzës, policia është duke manipuluar provat për dosjen e 21 janarit. Kryesisht kjo ka të bëjë me policinë shkencore e cila është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Për ekspertizat që ka kërkuar, sidomos ato balistike që i përkasin armëve të gardistëve, ka pasur hezitime. Në shumë raste ata janë vonuar, në disa të tjera, mënjanuar. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe manipulime. Madje vetë prokuroria ka hapur hetim për këtë dyshim, pasi mendon se të paktën dy armë të gardistëve ishin ekzekutoret e katër viktimave të 21 janarit. Për momentin në qeli ndodhet vetëm ish-gardisti Agim Llupo, ndërsa të tjerët edhe pse u arrestuan, janë lënë të lirë nga gjykata. Dyshimet janë se dy nga armët që mendohet se kanë derdhur plumbat mbi turmën e njerëzve, u përkasin oficerëve madhorë të gardës. Pikërisht në këtë pikë aludohet se janë manipuluar provat nga policia shkencore. E thënë nga prokuroria, kjo do sillte reagime, madje të ashpra. Megjithatë vëmendja është e shpërndarë dhe ka kohë që institucioni i akuzës është lënë në harresë nga qeveria. Ndoshta nuk ka aq çështje të freskëta në duar, pasi ndryshe do dilnin deklarata të zjarrta dhe të ashpra, sa institucionale aq edhe personale.
Kjo çështje që lidhet me ditën e errët të 21 janarit po harrohet, ashtu si shumë të tjera që ulërijnë për drejtësinë e mohuar dhe vonuar. Gjithsesi në kohë librash politika është e zënë sa me deklarata publike, ashtu edhe me rrjetet sociale. Kjo nuk e pengoi ministrin e Brendshëm që me qetësi gati imponuese të shprehej se: Për sa kohë policia nuk mbledh prova, nuk ka se çfarë manipulon. Ishte edhe zanafilla për të dalë aty ku dëshironte, duke ndjekur një linjë në dukje llogjike. Jepini të drejtën e hetimit policisë, pra që ajo të ngrejë akuzën, dhe do ta shikoni, deklaroi ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Ky pretendim nuk ishte ngritur më parë. Për më tepër që qeveritë në 20 vitet e fundit bënë çmos që të përafronin legjislacionin tonë me atë të vendeve të BE-së. Në shumë prej tyre prokuroria është organi kryesor hetimor, i cili drejton edhe policinë në grumbullimin e provave. Kur policia dhe hetuesia ishin brenda institucionit të Ministrisë së Brendshme, është një kohë disi e largët, që sot kushdo e shan, e quan të shkuar të hidhur dhe shumë epitete të tjera. I përket periudhës së sistemit komunist ku strukturat e rendit dhe ato hetimore ndalonin, hetonin, grumbullonin prova, madje edhe paraqisnin akuzat konkrete në prokurori dhe kjo e fundit vetëm në mënyrë figurative quhej istitucion i akuzës. Kjo frymë duket se po kërkohet të imponohet, por e modifikuar me një ngjashmëri me legjislacionin e SHBA-së, ku prokurori është më tepër në rolin e interpretuesit të fakteve dhe provave, pasi grumbullimi dhe hetimi i përket policisë.
Po a është e aftë policia jonë të kryejë hetime? Për nga vetë mënyra si janë kryer reformat në policinë shqiptare, strukturat e rendit janë thuajse totalisht të pakualifikuara në fushën e drejtësisë. Përqëndrimi ka qenë në riorganizmimin e saj dhe largimin gjithnjë e më shumë nga pushteti. Nuk ka më policë që të prishin zgjedhje në kokë të tyre, por policë dhe drejtues të lartë që shpesh i shërbejnë pushtetit, janë në numër të lartë. Propozimet dhe miratimet për figurat madhore të policisë së shtetit propozohen nga ministri i linjës dhe miratohen nga kreu i qeverisë. Si mund të hetojë dhe grumbullojë prova policia jonë për çështje korrupsioni? Vështirë të besohet, nëse do ndodhë një ditë që ajo të marrë kompetencat hetimore. Për momentin, edhe nëse do të ketë një draft dhe nismë ligjore për të ndryshuar kodin e Procedurës Penale, ajo bie ndesh me kushtetutën e vendit. Pikërisht në atë që ka të bëjë për funksionimin e institucioneve të pavarura. Por ideja është hedhur dhe jo krejt pa qëllim. Gjasat janë që po matet pulsi i juristëve dhe i vetë institucioni të akuzës. Nëse në kushtet aktuale kompetencat hetimore do i kalonin policisë, ky do ishte thuajse fundi i sistemit të drejtësisë. Mungojnë ekspertë të mirëfilltë të kriminalistikës dhe për më tepër interpretues të çështjeve penale dhe ligjore. Sipas burimeve konfidenciale nga Ministria e Brendshme, nuk po kërkohet që prokurorisë ti hiqet e drejta e hetimit, por po synohet që policia të ketë më shumë të drejta hetimore. Sepse aktualisht ajo kryen veprimet hetimore kryesisht për ngjarje kriminale të flagrancës, ndërsa në hetime më të thella është policia gjyqësore dhe prokuroria. Mendimi u hodh dhe fusha ku po luhet është e madhe, aq sa prokuroria nuk po di nga tia nisë
*Revista Klan