Gjinushi: Reformat e qeverisë po kontrollojnë drejtësinë
TIRANË- Partia Socialdemokrate ka akuzuar qeverinë se nëpërmjet pseudoreformave po përpiqet që të vejë nën kontroll pushtetin e drejtësisë dhe të gjitha institucionet që e përbëjnë atë. Në një komunikim me mediat, kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi duke marrë shkas pikërisht nga sjelljet e vazhdueshme të qeverisë për të vijuar rrugën e saj të reformave pavarësisht kundërshtimit të aktorëve të interesit, siç është rasti i projektligjit të prokurorisë, ka shprehur shqetësimin për degradimin e reformës në drejtësi në një reformë për interesa të ngushta të disa pushtetarëve. “Ne shprehim shqetësimin dhe mospajtimin për degradimin e reformës në drejtësi, për qëllimin e hapur që ka kjo qeveri për të kontrolluar prokurorinë, gjyqësorin, administratën gjyqësore dhe deri avokatinë nëpërmjet pseudo-reformave”, - tha Gjinushi. Sipas tij, qeveria edhe në këtë fund mandati po tregon se nuk është në gjendje që të bashkëjetojë me pushtetet e tjera të pavarura. “Të gjithë sot janë të bindur se kjo qeveri nuk bashkëpunon me institucionet për të luftuar krimin, por bashkëpunon me krimin për të luftuar institucionet, nuk bashkëpunon me dëshmitarët për të zbardhur trafiqet, por bashkëpunon me trafikantët për të zhdukur dëshmitarët”, - shtoi më tej Gjinushi. Në emër të forcë që vet drejton ai shpreh gjithashtu vlerësimin se kjo qeveri ka dështuar përfundimisht në çdo tentativë për të bërë një reformë reale në drejtësi dhe se kjo qeveri nuk ka më legjitimitet për të bërë reforma në drejtësi, sepse është në fund te mandatit dhe se është në konflikt të pastër interesash me drejtësinë.