Zgjedhjet, shtyhet mandati i komisionit për reformën
TIRANË- Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore nuk është ende gati që të përfundojë punën e tij për hartimin e një kodi të ri elektoral. Kur kanë mbetur dhe vetëm tre ditë nga skadimi i mandatit të tij të dytë, komisioni nuk ka marrë ende në shqyrtim pjesën e fundit të draft-kodit të ri zgjedhor, pjesë e cila ka të bëjë me çështje tepër të rëndësishme siç është administrata zgjedhore dhe përcaktimi i zonave dhe ndarjes së deputetëve në to. Për këtë shkak në seancën e nesërme pritet që të kërkohet shtyrja e mandatit të këtij komisioni edhe me të paktën një javë tjetër.
Mandati
Megjithëse nuk është bërë ende zyrtare, anëtarë të komisionit kanë konfirmuar dje mundësinë e shtyrjes së mandatit të tij edhe për një afat tjetër minimal, si e vetmja mundësi për të përfunduar edhe shqyrtimin e pjesës së mbetur të draft-kodit. Një gjë e tillë, sipas të njëjtave burime, është bërë e domosdoshme jo vetëm se grupi i ekspertëve që funksionon pranë këtij komisioni nuk ka ende gati draftin për kapitujt e mbetur të Kodit, por edhe se vet anëtarët e këtij komisioni, kryesisht përfaqësues të partive të vogla, kanë kërkuar kohë që të njihen me përmbajtjen e këtyre ndryshimeve të reja. Kështu, mësohet se puna ka ngecur tek ekspertët, të cilët megjithëse kishin premtuar se gjatë ditës së djeshme do të dorëzonin draftin e plotë sëbashku me pjesën e padiskutuar më parë të tij, për shkak të disa vështirësive më shumë të karakterit teknik nuk kanë mundur të mbarojnë punë. Ndërkohë që sikur të mos mjaftonin këto vonesa, anëtarët e komisionit të kontaktuar dje janë treguar skeptik në lidhje me mundësinë e përfundimit të reformës brenda tre ditëve të mbetura. Sipas tyre është absurde të mendosh që të kalosh brenda një mbledhje apo brenda dy ditëve një material voluminoz, ndërkohë që bëhet fjalë për kapituj shumë të rëndësishëm të kodit. Prandaj ata kanë bërë të qartë se do të duhet të paktën një javë kohë për të studiuar materialet e plota, pasi ato të dorëzohen nga ekspertët.
Kodi
Miratimi i Kodit Zgjedhor mbetet thjesht çështje kohe. Kjo pasi grupi i ekspertëve ka mundur ti jap fund dje diskutimit në lidhje me kapitujt e veçantë që kishin mbetur ende pa u miratuar nga komisioni. Burime pranë këtij grupi kanë bërë të ditur dje se pavarësisht vështirësive në gjetjen e një mesme të pranueshme nga të dyja palët që po marrin pjesë në këtë debat, draftet për kapitujt e mbetur janë gati. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme puna është përqendruar kryesisht në dispozitat kalimtare që do të vendosen në kod si dhe në redaktimin teknik të materialeve të përgatitura. Në këtë mënyrë megjithëse nuk japin detaje, të njëjtat burime kanë bërë të ditur se përsa i përket KQZ-së si institucioni qendror që do të merret me administrimin e zgjedhjeve, është vendosur që ai të jetë i përbërë me 7 anëtarë, ku nga dy do të propozohen nga PS e PD, nga një dy forcat e dyta për secilin krahë politikë, ndërsa anëtari i shtatë do të zgjidhet nga Kuvendi me konsensusin e të dyja palëve, pra me votë të cilësuar. Ndërkohë duket se i është dhënë zgjidhje edhe debatit për ndarjen e zonave zgjedhore, të cilat do të korrespondojnë me kufijtë e qarqeve aktuale, ndërsa numri i mandateve do të përcaktohet në bazë të numrit të popullsisë me të drejtë vote të çdo qarku.