E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pranga 2 persona, falsifikonin dokumente për marrjen e kredive

Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi ata akuzohen se falsifikonin dokumente, me qëllim marrjen e kredive në shuma të mëdha. Pas verifikimeve të kryera, agjentët kanë vënë në pranga Agron Isiun dhe Elvis Kosovën. Të dy këta persona kishin falsifikuar dokumentet, me qëllim që të arrinin të bindnin bankën në të cilën aplikonin se plotësonin kriteret për të marrë kredi. Shuma e kërkuar nga ata ishte rreth 1.000.000 lekë. Megjithatë, duket se pas verifikimit të bërë nga ana e punonjësve të bankës, u arrit në përfundimin se të dy personat kishin falsifikuar dokumentet. Nisur nga kjo, u kërkua ndërhyrja e policisë, e cila pas kryerjes së hetimeve, vuri në pranga 28 dhe 22-vjeçarin.

Nga specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në bashkëpunim me Njësinë Operacionale, nën drejtimin e Task-Forcës pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, në kuadër të procedimit penal të datës 29.04.2008, u organizua operacioni “Dosja e Bardhë”. Të dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale të “Korrupsionit pasiv dhe aktiv në sektorin privat”, “Mashtrim në kredi” dhe “Falsifikim të dokumenteve” në bashkëpunim.

Ata kishin aplikuar për kredi dhe në dokumentet e aplikimit kishin paraqitur si garanci prona, të cilat nuk ekzistonin, të cilat kishin arritur që t’i falsifikonin. Në këtë mënyrë ata shpresonin që të bindnin punonjësit e bankës, se mund të plotësonin kriteret e kërkuara, për të marrë shumën e parave, dhe se ishin në gjendje që të arrinin që t’i shlyenin këto kredi. Sipas procedurës, u kryen verifikimet e nevojshme, ku u arrit që të vërtetohej se të dy të arrestuarit i kishin dokumentet e rremë. U krye denoncimi në polici dhe më pas, nga ana e agjentëve, filluan procedurat për nisjen e hetimeve. Nga hetimet paraprake të kryera nga Task-Forcë dhe nga specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit u arrit në përfundimin se Agron Isiu dhe Elvis Kosova, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin përgatisnin dokumentacion me dokumente të falsifikuara për të aplikuar për kredi në shuma prej 1.000.000 lekësh. Gjatë arrestimit në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një mjet tip “Audi S4”, me targa DD 982 MK. Vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›