E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi kërkon bllokimin e hetimit për Gërdecin, megjithëse nuk është pyetur nga askush

Konspirativiteti i opozitës shqiptare ndaj qeverisë aktuale po bëhet gjithnjë e më aktuale dhe gjithnjë e më tepër po ve në pah antivlerat politike dhe xhelozinë për pushtet që ka adaptuar gjatë këtyre viteve në minorancë. Ndonëse ndodhemi pranë një evenimenti madhor për vendin tonë, pasi në fillim të muajit prill në Bukuresht të Rumanisë mbahet samiti i zgjerimit të NATO-s dhe se Shqipëria pret të marrë ftesën e anëtarësimit në të, forcat tona politike duken gjithnjë e më larg gjetjes së një konsensusi për të kapërcyer politikisht situatën e rëndë të ngjarjes së Gërdecit dhe përqendrimin e vëmendjes në këtë eveniment historik. Ditët e fundit, opozita ka ndjekur një politikë imperialiste, duke kërkuar me ngulm largimin e qeverisë, për efekt të xhelozisë dhe ambicies boshe për karrigen e pushtetit, e duke përdorur si argumente në mbrojtje të kësaj ideje, ngjarjen e rëndë të Gërdecit dhe mungesën e koherencës së qeverisë për të vepruar e për të parandaluar këtë proces katastrofik. Ndërsa dje partia e Gjinushit ka hedhur në skenën politike se çdo hetim parlamentar ose nga Prokuroria për ngjarjen e 15 marsit, do të ishte me vlerë vetëm pas largimit të qeverisë. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, deklaroi se tragjedia e Gërdecit është një fakt i dhimbshëm, e cila nuk ka nevojë për hetim, pasi atë e dëshmon ngritja e saj në mes të Tiranës, si qendër e trafikut dhe e çmontimit të armëve, përmes një vendimi qeverie. “Çdo hetim parlamentar ose nga Prokuroria, ka vlerë vetëm pas largimit të qeverisë. PSD do të shkojë në Kuvend vetëm për çmontimin e kësaj qeverie, që të mos çmontojë më predha me jetë njerëzish”, deklaroi kryetari i socialdemokratëve. Në këtë drejtim, nisur nga aksidenti i Gërdecit, një tjetër parti opozitare, LSI paraqiti së fundi në kryesinë e Kuvendit, kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar “Për hetimin e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes, lidhur me zhvillimin e reformave në fushën e mbrojtjes që siguron anëtarësimin në NATO dhe çështjet e sigurisë kombëtare që rrjedhin nga problematika që ka krijuar procesi i çarmatimit”. Por kjo shënoi edhe një përplasje të interesave politike me Partinë Socialiste. Në këtë drejtim, përfaqësuesit e Ilir Metës kanë kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes, por socialistët kanë deklaruar se nuk do të japin firmat për nismën, pasi janë më të interesuar të bllokojnë punimet e parlamentit sesa të merren me hetimin e tragjedisë së Gërdecit. Selia ylberiste ka përcjellë zbuluar se e gjithë beteja mediatike në Kuvend dhe jashtë tij është e motivuar vetëm nga interesa të ngushta politike dhe nuk ka të bëjë aspak me interesin për zbardhjen e plotë të tragjedisë së Gërdecit. Ndërsa objekti i këtij komisioni, të kërkuar nga LSI, do të jetë zbatimi i strategjisë kombëtare në fushën e zhvillimit të procesit të reformimit të ushtrisë dhe përgatitjes së saj për t'u anëtarësuar në strukturat e NATO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›