E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi mbështet PS-në për bojkotin e Kuvendit, Blushi kundërshton



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim kokë më kokë në selinë rozë me kryetarin e Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi. Tema kryesore e këtij takimi ka qenë diskutimi ndaj vendimit të mundshëm të Partisë Socialiste për të bojkotuar Parlamentin, si shenjë e protestës ndaj manipulimeve të ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit. Takimi ka zgjatur për rreth 1 orë e 30 minuta dhe në përfundim të tij, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, ka deklaruar mbështetje ndaj vendimit për bojkotimin e Parlamentit nga ana e Partisë Socialiste. "Zgjedhjet e parakohshme do të ishin një zgjidhje për ta kthyer vendin në normalitet. Unë mbështes bojkotin e opozitës për të mos hyrë në Parlament", - u shpreh Gjinushi. Por ideja e bojkotimit të Kuvendit është kundërshtuar ashpër nga pjesëtari i Grupit Parlamentar të PS-së, deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Ben Blushi. Gjatë një konference për shtyp, Blushi tha se bojkoti i Kuvendit nuk e ndihmon aspak Partinë Socialiste. Ai u kërkoi deputetëve socialistë të mos nxitohen në vendimet që marrin, por të dëgjojnë në fillim raportin e OSBE/ODIHR-it. Blushi paralajmëroi minimin e kohezionit brenda partisë në rast se do të bojkotohet Kuvendi. “Para se të braktisë Parlamentin, Partia Socialiste duhet të dëgjojë raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet”, - tha Blushi. Deklaratat e tij erdhën si reagim ndaj deklaratave të Oli Renit për zgjedhjet në Shqipëri, i cili pati theksuar se ato ishin më të mirat, por se kishin pasur edhe probleme. Blushi u ka bërë apel deputetëve të partisë së tij që të mos nxitohen për të braktisur seancat e Kuvendit. “Vendimet nuk duhet të merren sipas tekave të Edi Ramës. Ne duhet të shkojmë në Kuvend për zgjedhje të parakohshme”, - deklaroi Blushi.

4 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›