Rama: “Qeveria e re ngrihet mbi maskaradën zgjedhore të 28 qershorit”
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit Sali Berisha, kreut të LSI-së, Ilir Meta, si dhe nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re. Duke akuzuar kreun e LSI-së se ka bërë pazar me 83 mijë votat e LSI-së dhe kryeministrin Berisha se ka grabitur votat e 28 qershorit, Rama tha se qeveria e re po ngrihej paturpësisht mbi një maskaradë zgjedhore. “Në sytë e të gjithë shqiptarëve e shqiptareve u kurorëzua një maskaradë zgjedhore, e cila ka në themelin e saj krimin elektoral dhe ka për fytyrë të saj pazarin e hershëm dhe të paralajmëruar prej nesh të Sali Berishës me Ilir Metën”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.
Qeverisja
Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste tha se qeverisja e re “Berisha-Meta” do të thellojë krizën ekonomike dhe krizën e demokracisë në Shqipëri. Ai tha se qeverisja e re nuk mund të ofrojë asgjë për shqiptarët e varfër, të cilët varfërohen gjithnjë e më tepër. “Unë sot dua të përsëris jo vetëm që nga ky pazar dhe mbi themelet e kësaj maskarade zgjedhore nuk mund të lindë asgjë tjetër përveçse një qeverie e cila do të thellojë krizën e demokracisë, krizën e shtetit të së drejtës, krizën ekonomike. Por dua njëkohësisht të përsëris se ky është momenti për t’u bashkuar që të gjithë dhe për ta ribërë apelin në adresë të të gjithë atyre që sinqerisht e ndershmërisht besuan te Ilir Meta, në emër të asaj çka ai premtoi, që të bëhej pjesë e familjes së madhe politike të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë mundësi dhe mbi të gjitha arsye që të paguajnë vijimësisht, duke hyrë në borxhe edhe më të mëdha se këtu ku ka hyrë sot çdo familje shqiptare, për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë, për një qeverisje që nuk mund të ofrojë asgjë, por që vetëm do të rrisë në mënyrë eksponenciale fitimet dhe përfitimet e këtij grushti njerëzisht të bashkuar për të vijuar plaçkitjen e nisur të Shqipërisë”, - deklaroi Rama.
Zgjedhjet
Rama ripërsëriti qëndrimin e PS-së, e cila, për shkak të krimit elektoral, e konsideron Kuvendin si një institucion me legjitimitet thellësisht të cunguar dhe qeverinë një nënprodukt të deformimit zgjedhor. “Krimi elektoral e bën Kuvendin një institucion me legjitimet thellësisht të cunguar dhe qeverinë një nënprodukt të deformimit zgjedhor. Kurse mashtrimi publik i Ilir Metës, që u kurorëzua me marrëveshjen e tij të hapur me Sali Berishën thellon krizën e rëndë të besimit të njerëzve te politika dhe e bën politikën të duket më shumë se kurrë një gënjeshtër tallëse me ata që zgjedhin”, - tha Rama. Duke komentuar deklaratën e komisionerit Oli Ren për zgjedhjet, kryesocialisti Edi Rama tha se Partia Socialiste nuk ka luftuar për të pasur një palë zgjedhje të mira, por për të pasur një palë zgjedhje pa kërcënime dhe abuzime. “Ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse ne nuk luftuam për zgjedhje më të mira se të kaluarat, por për t’i dhënë fund asaj vazhde të shëmtuar zgjedhjesh të kërcënuara, të trysnuara dhe abuzuara. Për t’u dhënë shqiptarëve dinjitetin dhe lirinë që buron nga dinjiteti dhe liria e zgjedhjeve. Zgjedhjet e 28 qershorit nuk patën dinjitet dhe liri. Ne nuk mund të pajtohemi me këtë realitet dhe nuk mund të lejojmë që me këtë realitet të marrë fund çdo besim dhe shpresë për zgjedhjet, te liria dhe fuqia e votës. Kemi kontribuuar me sa kemi mundur dhe kemi bërë gjithçka që Shqipëria të dilte nga qerthulli i zgjedhjeve që gjithmonë janë quajtur më të mira se të tjerat, por që gjithmonë kanë mbetur brenda qerthullit të zgjedhjeve me probleme dhe pa standarde. I kemi dhënë një shans historik vendit dhe qeverisë së tij, që më në fund Shqipëria të kishte zgjedhje si në çdo vend të BE-së dhe si në çdo vend anëtar të NATO. Kjo sforco dhe sakrificë politike e jona nuk është bërë për të shkuar kot dhe ne nuk do të lejojmë që të shkojë kot”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
4 Shtator 2009