E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjipali për ATSH: Mbyllja e Kapitullit 20 nxit konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare

TIRANË, 15 tetor /ATSH-Gjergji Mima/ Integrimi në Bashkimin Evropian mund të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë edhe përpara anëtarësimit, përmes integrimit në SEPA, lehtësimit të kostove të roaming-ut dhe financimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes.

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), Gledis Gjipali, në një intervistë për ATSH-në, thekson se procesi i integrimit duhet të përkthehet në rezultate konkrete për ekonominë dhe qytetarët, përtej përparimit formal në negociata.

“Plani i Rritjes, për shembull, synon pikërisht afrimin ekonomik me BE-në dhe financimin e reformave, me pagesa të kushtëzuara nga përmbushja e angazhimeve. Po ashtu, hyrja në SEPA apo roaming-u pa pagesë, që pritet së shpejti, janë procese që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarin”, shprehet Gjipali.

Sipas tij, përfitimet afatgjata të integrimit lidhen me krijimin e një ekonomie më produktive, institucioneve më të besueshme dhe shërbimeve publike më të mira. Megjithatë, ai vëren se efektet pozitive nuk janë gjithmonë të menjëhershme dhe se procesi kërkon reforma të qëndrueshme.

Në këtë drejtim, mbyllja e përkohshme e Kapitullit 20, “Ndërmarrjet dhe politika industriale”, përbën një hap të rëndësishëm për përgatitjen e ekonomisë shqiptare ndaj standardeve evropiane.

Gjipali thekson se pas mbylljes së tre kapitujve në korrik, përparimi i mëtejshëm tregon vazhdimësinë dhe besueshmërinë e procesit të negociatave.

“Rëndësia qëndron te përgatitja e politikave dhe institucioneve që duhet të mbështesin zhvillimin e sipërmarrjes dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë”, shprehet ai, duke kujtuar se mbyllja e kapitujve është e përkohshme dhe detyrimet vijojnë deri në momentin e anëtarësimit. Kapitujt mund të rihapen në rast të hapave prapa ose të kërkesave të reja që burojnë nga legjislacioni i BE-së.

Përafrimi i politikës industriale me standardet evropiane pritet të ndihmojë modernizimin e bizneseve, veçanërisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kjo përfshin mbështetjen për teknologjinë dhe inovacionin, zhvillimin e aftësive të punonjësve, përdorimin më efikas të energjisë dhe lidhjen me partnerë e rrjete evropiane.

Sipas Gjipalit, një element me rëndësi për bizneset e vogla është edhe përafrimi me rregullat e BE-së për pagesat e vonuara, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në likuiditetin e tyre. Zbatimi i mirë i këtyre politikave mund t’i ndihmojë ndërmarrjet të përmirësojnë cilësinë e produkteve, të ulin kostot dhe të përfshihen në zinxhirët evropianë të furnizimit.

Megjithatë, ai nënvizon se, “miratimi i kuadrit ligjor nuk mjafton. Shqipëria duhet të rrisë mbështetjen financiare për bizneset, të ofrojë shërbime këshillimi dhe të forcojë institucionet. Ndërmarrjet shqiptare kanë nivele të ndryshme përgatitjeje për konkurrencën në tregun evropian: disa eksportojnë dhe bashkëpunojnë me kompani evropiane, ndërsa shumë biznese të vogla përballen me vështirësi për të siguruar kapitalin, teknologjinë dhe financimin e nevojshëm për përshtatjen me kërkesat e tregut”.

“Shqipëria duhet të përqendrohet te rritja e produktivitetit, formalizimi i sektorit, financimi për investime dhe siguria juridike”, vlerëson Gjipali.

Sipas tij, konkurrueshmëria afatgjatë kërkon që bizneset të ofrojnë më shumë vlerë përmes cilësisë, specializimit dhe inovacionit, ndërsa institucionet duhet t’u shpjegojnë sipërmarrësve ndryshimet që sjell procesi, kostot e përshtatjes dhe mbështetjen që mund të përfitojnë nga shteti dhe BE-ja.

Sa i përket objektivit të Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, drejtori ekzekutiv i EMA-s e cilëson atë ambicioz, por potencialisht të arritshëm.

Ai thekson se hapja e të gjithë kapitujve dhe nisja e mbylljes së disa prej tyre krijojnë një bazë pozitive, por ritmi i përfundimit të negociatave nuk mund të parashikohet vetëm nga ecuria e deritanishme.

Sipas Gjipalit, sfidat kryesore lidhen me zbatimin e qëndrueshëm të reformave në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, kapacitetet e administratës dhe investimet në fusha si mjedisi, bujqësia dhe siguria ushqimore. Ai nënvizon se nevojiten rezultate të dukshme jo vetëm në legjislacion, por edhe në mbështetjen financiare dhe institucionale.

Një faktor tjetër përcaktues mbetet vendimmarrja e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Pavarësisht mbështetjes nga Komisioni Evropian, vendimmarrja u takon vendeve të BE-së, të cilat duhet të jenë dakord me unanimitet për çdo hap të ndërmarrë”, shprehet Gjipali.

Sipas tij, përparimi në negociata merr kuptim të plotë kur shoqërohet me ndryshime që përmirësojnë ekonominë, rrisin mundësitë për bizneset dhe krijojnë perspektiva më të mira për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, në punësim dhe zhvillim profesional.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›