Gjipali, suksesi që vjen nga gratë e “lehta”
Nuk dihet nëse e mendon vërtetë që gratë janë “të lehta” (“La donna e mobile), si një pupël në erë. I sigurtë është fakti, që aria e famshme e Dukës së Mantovës i ka dhënë jo pak sukses. Tenori Josif Gjipali, apo siç e njohin Giuseppe Gipali, është nga ata artistë që e ka axhendën e impenjimeve të mbushur qysh vite më parë. Asgjë nuk i lihet rastësisë. Këndon në skenat italiane, franceze, është i preferuar në Spanjë, por edhe në Amerikën e largët. Pasi ka luajtur rolin e Rikardos tek opera “Un ballo in maschera” (“Një ballo me maska”) në muajin janar, në skenën e Oviedos në Spanjë, më pas rolin e Gualtieros në “Il Pirata” (“Pirati”) të Bellinit, në skenën e Marsejës, i kthehet sërish kompozitorit të madh italian Giuseppe Verdi. Dhe pikërisht tek “Rigolleto”, tragjedia e dhimbshme e lolos së pallatit, që duke dashur të mbrojë të bijën e çon atë drejt fundit pakthim. Pas shfaqjeve të njëpasnjëshme në skenat evropiane, tenori shqiptar kësaj here hidhet në kontinentin amerikan dhe pikërisht në San Diego. Opera do të fillojë të shfaqet në 28 mars dhe do të vijojë deri në datën 8 prill. Pasi ka realizuar role të rëndësishme, siç është Rikardo, tek “Një ballo me maska”, apo “Kalafi” në një tjetër verdiane, “Turandot”, me të cilin ka fituar edhe çmimin e parë në festivalin operistik “Operrallia 2006”, roli i Dukës së Mantovës, është shumë më i thjeshtë për Gjipalin. Tek “Rigolleto”, një prej veprave të triptikut “popullor” të Verdit, ai interpreton rolin e një Don Zhuani, për të cilin femrat nuk janë veçse numra. Edhe pas fundit tragjik të Xhildës, heroinës së operës, ai vijon të këndojë “La donna e mobille”, arien e famshme. Orkestra drejtohet nga dirigjenti Edoardo Müller. Në rolin e Xhildës interpreton sopranoja ¼ubica Vargicová, në atë të Rigoletos, baritoni Lado Ataneli, të Madalenës, Kirstin Chávez, të Sparafuçiles Arutjun Kotchinian, etj. Një staf i zgjedhur, i përbërë nga këngëtarë me kombësi të ndryshme, që interpretojnë në skena të rëndësishme të botës.