Pas inaugurimit bllokohen punimet e autostradës
KURBIN - Një ditë pasi kryeministri Sali Berisha inauguroi fillimin e punimeve për zgjerimin e autostradës Fushë Krujë– Milot, banorët dolën sërish në protestë duke mos lejuar firmat të punojnë. Kësaj radhe, veç ndërprerjes së punimeve, ata kanë ngritur edhe padi për firmat ndërtuese, duke i akuzuar ato për uzurpimin e pronave të tyre dhe prishjen e tokave e të mbjellave. Sipas banorëve, shteti nuk ka kontaktuar me ta dhe nuk i ka dëmshpërblyer për tokën e zënë nga autostrada. Njëri nga banorët, Sandër Nezha u shpreh se protesta do të vijojë dhe firmat nuk do të lejohen të vazhdojnë punimet. “Një shtab i ngritur që do përfaqësojë banorët, do të kryejë kallëzim në prokurori për pushtim toke, dëmtim të pasurisë së tjetrit, si dhe grabitje prone”, tha Nezha. Ai vijoi më tej se banorët kishin marrë vendim unanim, që të mos lejojnë vazhdimin e punimeve. “Ne nuk do e pranojmë që toka të na dëmshpërblehet me një vlerë qesharake, prej 250 lekë metri katrorë. Gjashtë vite më parë dëmshpërblimi ishte me 1400 lekë metri katror, ose 14 milionë lekë dynymin”, u shprehën banorët dje në protestë. “Nuk jemi kundra zgjerimit të autostradës, por shteti të na dëmshpërblejë e më pas të vazhdojë punimet”, - thanë ata. Në sajë të projektit, qytetarët e Laçit për të ardhur në Tiranë duhet të kalojnë më parë tek rrethrrotullimi në Milot, gjë për të cilën ata nuk janë dakord. Banorët pohuan se protesta e tyre do të vijojë çdo ditë. r.n