Borxhet, tenton vetëvrasjen 29-vjeçari
TIRANE – Një banor nga Kamza tentoi dje në mbrëmje të vetëvritej, ndërsa ndërhyrja e familjarëve i shpëtoi jetën. Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme, kur Xhevahir Kaloçi tentoi të vrasë veten me thikë. Mësohet se tentativa e 29-vjeçarit ka ndodhur brenda në banesën e tij në Kamëz, çka duket se u ka dhënë mundësi familjarëve dhe të afërmve të ndërhyjnë për parandalimin e ngjarjes. Policia ka mbërritur menjëherë në banesën e familjes Kaloçi, duke filluar hetimet për ngjarjen. Sipas të dhënave të mësuara nga deklarimet e familjarëve dhe marrja në pyetje e vetë 29-vjeçarit, shkak për ngjarjen kanë qenë disa shuma financiare, të cilat ai i kishte marrë borxh tek persona të njohur të tij. Tentativa për t’i dhënë fund jetës, fatmirësisht ka dështuar, pasi të afërmit e 29-vjeçarit i kanë hequr thikën nga dora.