E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krijimtaria e një shekulli në një libër

 

“Letërsia Botërore e shek. XX”, sjell në vëmendje të lexuesit krijimtarinë më të mirë të një shekulli. Të përkushtuar pas përkthimit të kryeveprave botërore, Jorgji dhe Agim Doksani, vijnë me një libër të ngjeshur studimor për letërsinë botërore të shekullit XX. Rrjedha e letërsisë në tridhjetë vende të botës, të dhëna për më shumë se 260 individualitete të shquar, veçanërisht për novelistët, informacione dhe interpretime për dhjetëra tituj të këtij shekulli, të përkthyera në 30-40 gjuhë të botës, shfrytëzuar për filma, dramatizime, hollësi interesante për jetën dhe krijimtarinë e shumë shkrimtarëve, etj. Alber Kamy, Zhan Pol Sartër, Tomas Man, Ernest Heminguej, Gabriel Garsia markez, Erih Maria Remark, Xhon Gollsuorth, Tomas Eliot, Xhejms Xhojs, Franc Kafka,  Marsel Prust, Garsia Lorka, Sergei Esenini, Vladimir Majakovski, Jasunari Kavabata, janë vetëm disa nga emrat e përfshirë në librin “Letërsia Botërore e shek. XX”. “Meritë e studimit është se në të nuk vihet re asnjë paragjykim për përkatësitë ideologjike të shkrimtarëve. Mjafton që ata të jenë artistë të nivelit të lartë. Ndryshe nga disa artikuj e studime ku lehtësisht kalohet në mohime ekstremiste, në këtë vëllim do të gjesh pranë e pranë shkrimtarë që vijnë nga e djathta apo nga e majta”, - thotë për këtë libër studiuesi Adriatik Kallulli. Ky libër mendohet t’i vijë në ndihmë jo vetëm studentëve dhe pedagogëve, por është një libër që ngjall kuriozitet dhe mund të shfrytëzohet nga çdo lexues. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›