Korçë, PS-ja akuza për kartat e identitetit
KORÇE - Një muaj nga dita kur nisi aplikimi për pajisjen me karta identiteti, asnjë person nuk e ka marrë atë në Korçë. Këtë fakt e bëri të ditur dje kreu PS-së Ilir Pendavinji. Sipas tij, në sajë të verifikimit të kryer nga administrata e Bashkisë dhe personali i zyrës së gjendjes civile, numri i personave që nuk kanë pasaportë në Korçë është dy herë më i madh nga sa është deklaruar nga qeveria nëpërmjet listave të dërguara në njësitë e pushtetit vendor. “Në Korçë, ende nuk ka filluar shpërndarja e kartave. Procesi i aplikimeve ka filluar një muaj më parë dhe u deklarua se gjithçka ishte në kushte shumë të mira. Po ritmet e punës së operatorëve, që punojnë në këto mjedise janë tepër të ngadalta për shkak se çdo ditë ka pasur shkëputje të linjës së internetit, por edhe probleme të tjera teknike që kanë sjellë zvarritje”, u shpreh ai. Dega e PS kërkoi nëpërmjet një deklarate për shtyp që të reagohet për këto probleme, në të kundërt do të shkojmë drejt zgjedhjeve të konstestuara e jashtë standardeve të kërkuara. Pas kësaj deklarate reagoi edhe dega e PD-së nëpërmjet zëdhënësit të saj Gjergji Grabocka. Ai deklaroi se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti po ecën normalisht. “Ndërsa Qeveria është e angazhuar për realizimin në kohë dhe me cilësi të këtij procesi, PS-ja duket qartë se është e predispozuar ta pengojë atë. Ne do ta çojmë popullin për herë të parë në zgjedhjet politike të 28 qershorit me një infrastrukturë moderne zgjedhore”, tha ai, duke shtuar se procesi i pajisjes së zgjedhësve me pasaporta biometrike po ecën normalisht dhe se PS-ja po krijon qëllimisht mjegullnajë. Dje u informua në lidhje me problematikat edhe prefektja e qarkut, Elfrida Zefi. j.gj