E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjiri i Lalzit”, skandal me 27 ha

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Tiranës filloi hetimet për abuzimet në procedurën e kthimit të 27 hektarëve tokë në zonën bregdetare të “Gjirit të Lalzit” në Durrës.Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave procedimi ka për objekt hetimi kryerjen e veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” nga zyrtarët shtetërorë dhe “falsifikimit të dokumenteve zyrtare” nga personat privatë. “Hetimi për këtë çështje filloi mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar në Prokurorinë e rrethit Tiranë një javë më parë nga familja Preza, pretendentë për pronësinë e sipërfaqes prej 27 hektarë tokë që dyshohet se është tjetërsuar”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria. Sipas tyre, procesi i hetimit është në fillimet e tij, pasi denoncimi është bërë më 19 shkurt 2009. Një grup oficerësh dhe prokurorësh të zyrës Task-Force Antikorrupsion, mësohet se janë ngarkuar me shqyrtimin e materialeve që përmban dosja ku ndodhet denoncimi i familjes Preza. Në fashikull deri më tani janë administruar edhe disa materiale zyrtare të mbledhura nga Prokuroria gjatë verifikimit paraprak të kallëzimit mbi veprat penale dhe personat e denoncuar. Burimet zyrtare refuzuan të bëjnë komente të mëtejshme, por thanë se organi i akuzës ka gjetur elementë të veprës penale në denoncimin për skandalin e tjetërsimit të 27 hektarëve tokë në “Gjirin e Lalzit”. Zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave mësohet se kanë plotësuar dosjen dhe në fund kanë dhënë vendimin për kthimin e pronës tek persona që dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet. Këta të fundit sipas hetimeve paraprake dyshohet se kanë aplikuar me dokumente false në Agjencinë e Pronave, e cila me anë të procedurave të parregullta ka miratuar kthimin e pronës në fjalë.
Kthimi i pronës
nga Vatnikaj
Vendimi për “kthim prone” mbi sipërfaqen prej 27 hektarë tokë në “Gjirin e Lalzit”, është firmosur nga ish-kryetari i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj. Sipas një shqyrtimi paraprak të dokumenteve të mbledhura gjatë hetimit (data në vendimin e firmosur nga Vatnikaj), mësohet se shkresa është firmosur një ditë para se ish-kreu i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, të shkarkohej nga detyra me vendim të qeverisë shqiptare. Këshilli i Ministrave vendosi më 21 janar 2009 shkarkimin nga detyra të ish-kreut të Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, duke e ndëshkuar për shkelje që kishin karakter kryesisht administrativ. Ndërkaq kjo është dosja e dytë në Prokurorinë e Tiranës ku personi kryesor në hetim është ish-gjyqtari Vatnikaj. Prokuroria tha se Vatnikaj do të merret i pandehur për akuzën “shpërdorim detyre” lidhur me skandalin e tjetërsimit të 48 hektarëve tokë në një zonë tjetër bregdetare, në “Plazhin e Gjeneralit” në Kavajë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›