Kriza e gjakut, amendim ligjit
Amendim në ligjin për gjakun. Gjithçka pasojë e krizës së përhershme e mos plotësimit të nevojave. Për t’i dhënë zgjidhje Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati ndryshimet e ligjit për transfuzionin kombëtar të gjakut. Për këtë amendim është marrë edhe miratimi i Komisionit Parlamentar të shëndetësisë. “Ligji i miratuar dy vjet më parë nuk solli ndonjë ndryshim për sa u përket dhurimeve vullnetare. Ndaj kërkohet amandimi i këtij ligji që të kemi më shumë dhurime dhe gjak të sigurtë”, shprehen burime nga Ministria e Shëndetësisë. Amendimet e ligjit për transfuzionin pritet të kalojnë në qeveri dhe brenda marsit të diskutohen në Komisionin e Shëndetësisë. Deri tani promovimi i dhurimit vullnetar të gjakut kryhet përmes Kryqit të Kuq dhe shoqatës së dhuruesve vullnetare. Çdo vit Ministria e Shëndetësisë i akordon Kryqit të Kuq një fond prej 5 milionë lekë për fushatat e promovimit.