Kthehen në Francë makinat luksoze, vjedhur në Tiranë
TIRANE - Dy makina luksoze, të cilat ishin sekuestruar vitin e kaluar në kryeqytet, pasi dyshohej se ishin të vjedhura jashtë territorit të Shqipërisë, janë kthyer në Francë. Makinat janë të tipit “Volksvagen Sharan” me targë 9671 WWB 59 dhe “Porsh Boxer” me targë false ZH 728059 dhe targë origjinale 537 KH 13, të cilat sipas policisë dyshohet se janë vjedhur në Francë në periudha të ndryshme kohore. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia e Tiranës, bëhet e ditur se kthimi i automjeteve në vendin ku janë vjedhur është realizuar nga Seksioni i Antitrafiqeve dhe Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me shërbimin policor të atashuar pranë ambasadës franceze në kryeqytet. Gjithçka është realizuar në bazë të urdhrit për kthimin e sendeve të sekuestruara, të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës. Makinat që dje u kthyen në Francë janë sekuestruar nga policia shqiptare gjatë vitit 2008. Automjeti tip “Volksvagen” është bllokuar në mars, ndërsa tjetri tip “Porsh” është bllokuar në shtator.