E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule:Sugjerimet e studentëve për diplomat,javën që vjen

 

Studentët do të kenë një javë kohë për të dhënë sugjerimet e tyre për diplomën e re. Sipas kreut të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, formati paraprak bashkë me suplementin ka përfunduar.     “Aktualisht në përputhje me udhëzimin e ri të MASH dhe standardet e Bolonjës, UT ka përgatitur një format fillestar të diplomave, e cila u është dërguar edhe studentëve, me qëllim që edhe ata të japin sugjerimet e tyre për formën dhe përmbajtjen”, tha Rektori Kule. Ai bëri me dije se sugjerimet e studentëve në lidhje me elementët, si titulli apo paraqitja grafike e diplomave të reja, do të paraqiten javën e ardhshme. Modeli i ri diplomave për studimet 3-vjeçare, i kërkuar pak javë më parë nga krerët e universiteteve dhe studentët, u mbështet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila u dërgoi rektorateve një udhëzim të ri për hartimin e tyre. Duke filluar nga ky vit, diplomat që do të lëshohen për këta studentë dhe masterat do të jenë me nivele, ndërsa emërtimi i tyre do ketë edhe profilin e arsimit. Diploma për secilin kandidat në të tria ciklet e studimit do të përmbajë të dhëna të përbashkëta për të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë që veprojnë në vendin tonë sipas ligjit në fuqi. Bashkangjitur diplomës do të jetë edhe suplementi përkatës në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Në këtë mënyrë çdo person që përfundon Arsimin e Lartë do të ketë më shumë mundësi në tregun e punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›