E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gabuam me zgjedhjen e dhëndrit të Kryeministrit”

 

Fabiola Çela

Për herë të parë zyrtarët e Bankës Botë-rore e kanë pranuar se Jamarbër Malltezi nuk duhet të ishte emëruar si Koordinator i projektit për Zhvillimin e Zonës Bregdetare. Kjo, pasi kishte konflikt interesi, duke qenë se Malltezi është dhëndër i Kryeministrit Berisha. Në raportin e tyre zyrtarët e lartë të Bankës Botërore kanë pranuar se kanë gabuar në lidhje me zhvillimin e bregdetin shqiptar e konkretisht me zonën e Jalës. Në një deklaratë për mediat drejtuesja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri Camilla Nauhman ka sqaruar në detaje të gjithë raportin e grupit të menaxherëve të BB-së.
Emërimi
Gabuam me emërimin e Jamarbër Malltezit si koordinator i projektit për Zhvillimin e Zonës Bregdetare. Ky ka qenë përfundimi i nxjerrë në raportin e Bankës Botërore. “Gjykimi i dobët nga Grupi i Menaxherëve ka çuar në një perceptim të konfliktit të interesit. Në fillim të vitit 2006, Qeveria e Shqipërisë ndërmori një proces konkurrues për të përzgjedhur Koordinatorin e Projektit. Kandidati i përzgjedhur si personi më i kualifikuar teknikisht ishte dhëndri i Kryeministrit. Në ndjekje të udhëzimeve të Këshilltarit Rajonal për Prokurimet, Grupi i Menaxherëve mori garanci se procesi i përzgjedhjes nuk ishte ndikuar nga marrëdhënia e lartpërmendur dhe se do të mbahej një distancë raportimi midis Koordinatorit të Projektit dhe Kryeministrit. Më pas, Grupi i Menaxherëve dha moskundërshtimin për përzgjedhjen e Koordinatorit të Projektit. Në vend që ta trajtonte këtë emërim si çështje prokurimi rutinë, Grupi i Menaxherëve duhet ta kishte gjykuar më mirë këtë çështje, duke pasur parasysh se një emërim i tillë do të krijonte, të paktën, perceptimin e një konflikti interesi dhe, rrjedhimisht, do të lindte një rrezik reputacioni për Bankën Botërore. Kur Paneli i Inspektimit e ngriti çështjen e perceptimit të konfliktit të interesit në fillim të vitit 2008, Grupi i Menaxherëve mendoi se nuk kishte asnjë bazë juridike për ta trajtuar këtë çështje. Megjithatë, pretendimet e ngritura në Kuvendin e Shqipërisë dhe në mjetet e komunikimit në verën e vitit 2008 në lidhje me Koordinatorin e Projektit dhe bashkëshorten e tij u diskutuan me Qeverinë dhe iu kaluan për shqyrtim Departamentit të Integritetit Institucional të Bankës Botërore”, thuhet në raport.
Sipas raportit, “Departamentit të Integritetit Institucional (INT), shqyrtoi të gjithë dokumentacionin në dispozicion dhe u takua me personelin operativ për të konstatuar nëse përligjej apo jo një investigim. Edhe pse informacionet në dispozicion lënë të kuptosh se ka, të paktën, konflikt interesi në dukje nga përzgjedhja e Koordinatorit të Projektit, nuk u paraqit asnjë informacion që të përbënte bazë të mjaftueshme për të hetuar më tej një praktikë të sanksionueshme siç përcaktohet nga normat e Bankës. Rrjedhimisht, në zbatim të praktikës standarde, INT e hodhi poshtë kërkesën për ta ndjekur më tej këtë çështje. INT vërente se edhe sikur të ishte ndërmarrë një investigim dhe sikur të ishin konstatuar praktika të sanksionueshme, INT do t’ua kishte kaluar çështjen në fjalë autoriteteve shqiptare për ta ndjekur më tej.”
“Nuk dhamë Ok për prishjen”
Një tjetër përgënjeshtrim për qeverinë shqiptare vjen nga drejtoresha e Bankës Botërore. Sipas raportit, Banka nuk ka porositur prishjen e ndërtimeve në Jalë. “Grupi i Menaxherëve vëren se prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë autorizuar nga Banka Botërore. Megjithatë, Grupi i Menaxherëve është në dijeni se më datë 26 mars 2007, më pak se një muaj përpara prishjes së objekteve në bregdetin jugor, Njësia Shqiptare e Koordinimit të Projektit u ka dërguar një letër, me kokën zyrtare të letërkëmbimit të Projektit, qeveritarëve të nivelit të lartë, si edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Ndërtimit”. Në raportin e saj Banka Botërore ka publikuar edhe letrën e dërguar nga Njësia e Koordinimit të Projektit. Në letër thuhet se: “Duke pasur parasysh rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të kësaj zone dhe efektin që ka në zhvillim e përgjithshëm ekonomik dhe të turizmit në vend, sa i takon mjedisit, ju lutem kujdesuni të merrni masat e nevojshme, sa më shpejt të jetë e mundur”. Por pas më pak se dy javësh, Policia e Ndërtimit u është përgjigjur Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Njësisë së Koordinimit të Projektit, ku u bënte me dije se: “Drejtoria e Policisë së Ndërtimit ka kryer të gjitha procedurat ligjore të nevojshme, që kanë të bëjnë me raste të tilla dhe vendimet për prishjen e këtyre objekteve u janë njoftuar palëve përkatëse, duke u dhënë atyre mundësinë e bërjes së ankesës dhe të paraqitjes së dokumenteve që kanë për këto ndërtime”.

Banka: Projekti nisi keq që në fillim. Rrezikohet financimi

Në konferencën për shtyp, përfaqësuesja e BB theksoi se projekti kishte lidhje me shkatërrimet që u bënë në Jalë; projekti nuk ishte hartuar, mbikëqyrur apo zbatuar mirë; komunikimet e rëndësishme nga drejtuesit e Bankës me Bordin ishin me gabime; dhe përpjekjet e Bankës për të gjetur fakte linin jashtë ngjarje dhe marrëdhënie kyçe. “Banka do të financojë kosto të përzgjedhura për kryerjen e një rishikimi rast pas rasti nga gjyqësori shqiptar të kërkesave të Kërkuesve që janë dëmtuar si rrjedhojë e shkatërrimeve të prillit 2007 dhe që duhen kompensuar si pasojë e këtyre prishjeve. Këto shpenzime do të përfshijnë shërbimet ligjore të kërkuara nga Kërkuesit, duke përfshirë, në rast nevoje, shpenzime për apele të mirë-bazuara pas shqyrtimit. Ato do të përfshijnë gjithashtu pagimin e një vëzhguesi të pavarur, që do të pranohet nga Banka, i cili do t’i raportojë Bankës në lidhje me transparencën, besueshmërinë, pavarësinë dhe kryerjen në kohë të procesit të shqyrtimit. Për t’i përshpejtuar këto veprime, Banka do të konfirmojë sigurimin nga ana e Qeverisë se do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për ta përfunduar këtë proces shqyrtimi sa më shpejt që të jetë e mundur, duke pranuar dhe duke u angazhuar për të respektuar plotësisht pavarësinë e gjyqësorit. Banka gjithashtu do të konfirmojë se Qeveria do të vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për shqyrtim dhe se Qeveria nuk do të kundërshtojë një propozim të arsyeshëm për t’i bashkuar pretendimet e Kërkuesve. Për më tepër, Banka do të sigurojë që Qeveria të respektojë dhe përmbushë menjëherë të gjitha vendimet e gjykatës që do të rezultojnë nga ky shqyrtim, duke përfshirë çdo vendim për të kompensuar paditësit.
Çfarë do të ndodhë me Projektin?
Projekti u pezullua nga Grupi i Menaxherëve të Bankës Botërore në 9 janar 2009 dhe vazhdon të jetë i pezulluar derisa të merret një vendim tjetër, nëse projekti do të ristrukturohet duke mos përfshirë veprimtaritë e planifikimit të tokës, apo do anulohet plotësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›