E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër Shantazh doganierit, në kërkim gazetari

Autori i Lajmit: Redaksia

Dy persona janë arrestuar pasi janë akuzuar se i kanë bërë presion një doganieri, duke i kërkuar para në këmbim të mos publikimit të një materiali filmik. Të dyshuarit pretendonin se materiali filmik komprometonte doganierin e pikës kufitare të Kakavijës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të policisë së Gjirokastrës, Bashkim Dushi dhe Julian Gjinaj të dy banues në qytetin e Shkodrës janë kapur në flagrancë teksa i “kërkonin doganierit që të paguajë një shumë prej 1500 euro, kundrejt mospublikimit të një materiali filmik kompromentues”. Sipas informacionit të policisë dy shkodranët pretendonin se materiali filmik ishte bërë nga një person i tretë, me inicialet E.D. Policia informon se personi i shpallur në kërkim rezulton të jetë gazetar në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel. Ky televizion ka reaguar dje, duke u shprehur se distancohet nga ngjarje të tilla. “Top Channel nga ana e tij distancohet nga cdo veprim antiligjor për përfitim personal i shtetasve të mësipërm dhe garanton integritetin dhe seriozitetin e emisionit “Fiks Fare” dhe televizionit përpara publikut”, thuhet në faqen zyrtare të këtij televizioni. Pas një pune profesionale të bërë nga Specialistët e Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me njësinë e përbashkët hetimore Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, duke përdorur dhe metodat speciale të hetimit , shtetasit të arrestuar Julian Gjini i është sekuestruar edhe shuma prej 1500 euro të cilat ja kishte marrë doganierit të pikës doganore Kakavijë.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›