E Diel, 1 Nëntor 2026

Miss Evropa apo “Frau Germania”

Autori i Lajmit: Nga Joshka Fisher

Çka është duke ndodhur me Angela Merkelin? Vetëm pak kohë më parë, kancelaria gjermane u emërua si “Mis Evropa”, tani ajo më shumë len përshtypjen e të qenit “Frau Gjermania”. Në vend se të ofrojë udhëheqje të vendosur në krizën ekonomike dhe financiare, ekonomia më e madhe e BE-së po tërhiqet në guaskën e saj. Gjermania ka qenë gjithmonë motor i integrimit evropian, në përputhshmëri me interesat e saj politike dhe ekonomike. Secila qeveri e pasluftës gjithmonë ka qenë e gatshme për ta shfrytëzuar forcën financiare të Gjermanisë për qëllime të mëtejme, për ti paguar faturat e Evropës. Motoja ka qenë e thjeshtë: Gjermania jep dhe fiton. Nëse Gjermania do ta shkelmojë pjesën e parë të kësaj formule, projekti evropian do të dëmtohet rëndë dhe po ashtu do të dëmtohet edhe interesi kombëtar i Gjermanisë. Prapëseprapë ky është drejtimi në të cilin po shkon kancelaria Merkel. Sigurisht, në fillim të krizës greke, Merkel foli publikisht për nevojën për të qenë në gjendje për të përjashtuar anëtarët e eurozonës të cilët nuk i ndjekin rregullat. A beson ajo seriozisht se euro dhe BE-ja do të mund të mbijetojnë pas një veprimi të tillë ndëshkues? Në vend të ideve për forcimin e solidaritetit dhe stabilitetit të eurozonës, propozime absurde qarkullojnë në Berlin. Ideja se Gjermania do të tregonte solidaritet financiar ndaj anëtarëve të eurozonës së dobësuar, vetëm nëse ata do të pranonin masa drakoniane të stabilizimit është e ngjashme me jorealen. Masa të tilla vetëm do ta keqësonin deflacionin në këto shtete, të cilat janë tregjet më të rëndësishme për eksportin gjerman. Esenciale është kombinimi i duhur për stabilitet dhe ndihmë financiare, edhe kur kjo çështje është jo e popullarizuar në publikun gjerman. Për të qenë të sigurt, shtetet anëtare të eurozonës kishin nevojë për inkurajim për të reaguar ndaj krizës së besimit duke konfrontuar monedhën e përbashkët me veprim të bashkërenduar për kontroll më të rreptë të buxheteve kombëtare dhe përmirësimin e bashkëpunimit. Si hap i parë, sidoqoftë, Greqinë duhet ndihmuar, përmes solidaritetit financiar të qeverive të BE-së. Në anën tjetër, kritikat nga jashtë për Gjermaninë se mban një tepricë në llogarinë e saj aktuale, sikur Kina, është e pa bazë. Një kritikë e tillë nuk merr parasysh dy ndryshime të rëndësishme: së pari, jo si Kina, Gjermania - si anëtare e eurozonës – nuk mund ta nënvlerësojë valutën e saj. Së dyti, “eksportet” gjermane kryesisht shkojnë në BE. Të kërkosh nga Gjermania të ndalojë me rritjen e konkurrencës, ose për ta zvogëluar atë, është thjesht gjë bizare. Nga 1999 deri 2005 Gjermania ka pasur të bëjë me papunësi të lartë, zhvillim të ngadaltë dhe konkurrencë të ulët, dhe si rezultat kishte pësuar ekonomia evropiane. Rimëkëmbja ishte e vështirë të arrihet, por tregu i vetëm ka përfituar nga konkurrenca e ripërtërirë e Gjermanisë. Pikë e rëndësishme nuk është forca e ripërtërirë ekonomike e Gjermanisë, por a do të dojë Gjermania ta përdorë këtë forcë për interesat e Evropës apo për interesat e saj. Fatkeqësisht, Merkel si duket ka vendosur për mundësinë e dytë, sepse kjo mundësi përfshin më pak rreziqe politike në vend. Përgjegjësia për konfliktin e tashëm brenda BE-së është e qeverive të eurozonës, por kryesisht e Gjermanisë dhe Francës – dy ekonomive më të forta të zonës. Në vend se të bashkëpunonin, çifti frankogjerman vazhdimisht dhe publikisht grinden mes vete. Derisa kjo grindje bëhet mbi atë se kush do të duhej të paguante për ristrukturimin e Greqisë, çështja e vërtetë është ajo e mosbesimit latent në mes të dy partnerëve, i cili bart rrezikun e një ndarjeje të përhershme. Derisa fituesja e madhe ekonomike dhe politike e Evropës, Gjermania, në veçanti, nuk duhet të lejojë këtë krizë mosbesimi ta kërcënojë projektin Evropian, sepse gati dy të tretat e eksportit të saj shkojnë në BE.
(Joshka Fisher, ministër i Punëve të Jashtme i Gjermanisë dhe zëvendëskancelar nga viti 1998 deri në vitin 2005, ka qenë udhëheqës i Partisë së Gjelbër të Gjermanisë për gati 20 vjet).

Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›