E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër- aksident, 1 vdekur dhe 2 të plagosur

Aksident i rëndë në aksin rrugor Gjirokastër Tepelenë. Një person ka humbur jetën si dhe dy të tjerë janë plagosur. Shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara, si dhe kushtet e këqija klimaterike. 

GJIROKASTËR- Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në aksin rrugor Gjirokastër- Tepelenë, për pasojë një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur. Ngjarja ka ndodhur këtë pasdite rreth orës 15 e 30 në afërsi të kthesës së fshatit Picar, ku mësohet se ka humbur jetën Naim Shuskaj 24 vjeç, banues në Rroskovec të Fierit. Viktima ishte emigrant në Greqi dhe po kthehej drejt tokës helene pas kalimit të festave të fundvitit në atdhe. Ka qenë përplasja e një mjeti tip BMW me targa grekë, që i përkiste emigrantit shqiptar, i cili gjeti dhe vdekjen e menjëhershme, me një mjet tip Audi me targa të Vlorës 5130 B. Ndërkohë mësohet se dy të plagosurit të cilët ndodheshin në automjetin tip Audi me targa të Vlorës janë atë e bijë, por ende nuk dihen emrat e tyre. Të plagosurit janë përcjellë drejt spitalit rajonal të Gjirokastrës për të marrë ndihmën e nevojshme dhe janë jashtë rrezikut për jetën. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›