E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjirokastër ‘09", Turku vlerëson detajet

Kur duhen edhe tri javë nga çelja e Festivalit Folklorik Kombëtar "Gjirokastër 2009" (FFK), që do të nisë zyrtarisht në datën 24 shtator në kalanë e qytetit të gurtë, në mjediset e Prefekturës së Qarkut të Gjirokastrës është organizuar pasditen e djeshme një takim i përbashkët midis drejtuesve të lartë të pushtetit vendor në jug të vendit, si dhe organizatorëve të kësaj veprimtarie. Ardjan Turku, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, njëherazi kryetari i Komisionit Organizativ Shtetëror, e cilësoi Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2009, si një mundësi për të promovuar sa më mirë në arenën ndërkombëtare vlerat tradicionale të një kombi. "Për herë të parë do të kemi një skenografi tërësisht të re, e cila është ideuar nga mjeshtri Bashkim Sahaj. Ndërkohë, ka përfunduar logoja e festivalit, si dhe janë përgatitur posteri i këtij evenimenti", u shpreh Turku, duke shtuar se për këtë projekt qeveria ka investuar 58 milionë lekë të reja. Kryetari i bashkisë së qytetit mikpritës të festivalit, Flamur Bime, ka pohuar gjatë takimit që zgjati mbi dy orë se i gjithë stafi i pushtetit vendor dhe drejtoritë në varësi të saj janë në gatishmëri për t‘iu përgjigjur kurorëzimit me sukses të festivalit. "Do të angazhohemi që 600 artistët që do të vijnë në Festivalin Folklorik Kombëtar të gjejnë mjedise mikpritjeje gjirokastrite", ka deklaruar Bime, duke nënvizuar se qyteti i gurtë i ka marrë të gjitha masat për akomodimin e artistëve e festivalit. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare për Qarkun e Gjirokastrës, Spartak Drasa, pohoi, se ndërhyrjet kanë filluar dy javë më parë në skenën e festivalit, pasi aktualja ndodhet në parametra të kalbëzuar. Për këtë qëllim MTKRS ka akorduar një fond limit mbi 3 milionë lekësh të reja. Në fund të takimit u krijua grupi organizativ për FFK "Gjirokastra 2009", i cili do të ndjekë krejt procedurat e kësaj përgatitjeje dhe zhvillimit të këtij festivalit. Festivali Folklorik Kombëtar është zhvilluar fillimisht në qytetin e Tiranës në vitin 1957 me siglën "Festivali Kombëtar i Këngës, Muzikës dhe Valles". Për herë të parë në Gjirokastër ky aktivitet u zhvillua në vitin 1968, për t‘u organizuar çdo 5 vjet deri në vitin 1988. Në vitin 1995, festivali u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit dhe në vitin 2000 u rikthye në qytetin e Gjirokastrës. E.Serjani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›