Berisha: Sot ndan "tortën" e mbetur të qeverisë me aleatët e tjerë
Pas firmosjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, Kryeministri Berisha pritet të bëjë të njëjtën gjë me aleatët e koalicionit të djathë. Sot pritet që Berisha të firmosë marrëveshjen e bashkëqeverisjes me kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu, partia e të cilit në zgjedhjet e 28 qershorit arriti të marrë vetëm një deputet. Posti që kjo forcë politike pretendon të marrë në qeverinë e re është ai i Ministrisë së Mjedisit, e cila pritet të drejtohet nga vetë kryetari republikan Fatmir Mediu. Për katër vitet e shkuara, PR-ja ka drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, por pas dorëheqjes së Mediut për shkak të tragjedisë së Gërdecit, kjo forcë politike mbeti sërish në qeveri por me një tjetër ministri, atë të Shëndetësisë së drejtuar nga Anila Godo, e cila të hënën do t‘i dorëzohet ministrit të ri Vasilit, i cili vjen nga marrëveshja e bërë mes PD-së dhe LSI-së. Sot Kryeministri Berisha pritet të zhvillojë takime dhe të firmosë marrëveshje edhe me kryetarin e PDI-së, Tahir Muhedinin, forcë politike e cila, ashtu si PR-ja, përfaqësohet në Kuvend me një deputet. PDI-ja ka kërkuar që të përfaqësohet në qeveri me një post ministror, duke specifikuar Ministrinë e Mjedisit ose Ministrinë e Punës, por ende nuk është lënë të kuptohet asgjë nga Kryeministri Berisha nëse kërkesa e tyre është marrë parasysh. Dy ditë më parë Kryeministri Berisha, në firmosjen e marrëveshjes së bashkëqeverisjes me LSI-në, duke vlerësuar aleatët e tij, shpreh se aleatët do të përfaqësohen në qeveri sipas numrit të votave që kanë arritur të marrin në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërsa me aleatët e tjerë, të cilët nuk arritën të përfaqësoheshin në qeveri Kryeministri ka deklaruar se ata do të përfaqësohen në nivel zëvendësministrash apo këshilltarësh pranë kabinetit të Kryeministrit. Deri në fund të javës, negociatat mes Kryeministrit Berisha dhe aleatëve të tij duhet të kenë përfunduar dhe ky premtim tashmë është bërë nga kreu i qeverisë. Të hënën betohet në sallën e Kuvendit parlamentarët e rij, nga i cili Kryeministri Berisha do të nxjerrë dhe qeverinë, të cilën do t‘ia dërgojë për dekretim Presidentit të Republikës dhe më pas emrat e ministrave të dekretuar paraqiten në Kuvend për t‘u miratuar dhe për të nisur detyrën e re të qeverisjes së vendit për katër vitet e ardhshme. Berisha ka marrë sërish drejtimin e vendit pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe falë vendimit të LSI-së për të bashkëqeverisur me PD-në, pasi partitë e koalicionit të djathtë, me në krye PD-në, më 28 qershor arritën të merrni 68 mandate deputetësh. Ky numër ishte i pamjaftueshëm për të krijuar një qeveri pa parti të tjera. Për të shmangur futjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, Kryeministri Berisha ftoi publikisht kryetarin e LSI-së Meta për të bashkëqeverisur vendin për katër vitet e ardhshme. Ftesa u pranua menjëherë nga LSI-ja dhe pas këtij hapi nisën edhe negociatat e para sa publike dhe jopublike për të konturuar se në ç‘nivel do të përfaqësohet LSI-ja në qeveri dhe cilët do të ishin ministritë që kjo parti do të merrte në drejtim. Pas gati një muaji, dy ditë më parë PD-ja dhe LSI-ja, nëpërmjet Berishës dhe Metës, firmosi marrëveshjen e bashkëqeverisjes ku LSI-ja do të drejtoje tre ministri, të Shëndetësisë, Ekonomisë si dhe Ministrinë e Jashtme dhe zëvendëskryeministrin, rreth shtatë poste zëvendësministrash, nënkryetarin e Kuvendit, dy prefektë, si dhe përfaqësimi në masën 20% në nivel drejtorish në qarqe.