E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, 12 të vdekur nga aksidentet në 6 muaj

 

GJIROKASTER - Boshti i aksit rrugor është shndërruar në aksin e ferrit si pasojë e aksidenteve të shumta të ndodhura gjashtë muajt e fundit. Rreth 12 persona kanë humbur jetën si dhe 38 të tjerë janë plagosur në aksin jugor nga Kakavija deri në zonën kufitare me rrethin e Mallakastrës në veri të Qarkut të Gjirokastrës. Shifrat zyrtare flasin se ky numër është më i madh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku të aksidentuarit për vdekje kanë qenë sa gjysma e numrit aktual. Mungesa e sinjalistikës paralajmëruese në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë ku dhe është shënuar numri më i madh i aksidenteve, është një prej veçorive kryesore të tragjedive të ndodhura. Shumica e aksidenteve kanë ndodhur për shkak të shkeljeve flagrante të rregullave të qarkullimit rrugor, dehjes së drejtuesve të automjetit si dhe terrenit të rrëshqitshëm çka është një përgjegjësi për mungesë e sinjalistikës së nevojshme në të tilla raste me mot të lagësht. Ndërkohë që nga ana e Policisë Rrugore masat kanë qenë të rrepta përsa u përket ndëshkimeve të drejtuesve të automjeteve. Sipas zëdhënësit të Shtypit në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës Gentijan Mullai, postblloqet policore kanë qenë mjaft efiçente dhe kanë funksionuar konform ndëshkimit të gjithë shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor. Vetëm gjatë këtij gjashtë mujori janë hequr mbi 200 leje drejtimi automjetesh ndërkohë që nuk kanë munguar edhe masat e shumta administrative në dëm të kundravajtësve. Afërsisht nga 200-300 masa administrative me shuma të ndryshme janë vendosur çdo muaj nga ana e policëve të qarkullimit duke shtuar ndjeshëm përgjegjësinë.                  p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›