MIRËNJOHJE DHE SHUPLAKA
Dy pyetje: Cili është reagimi më mbresëlënës pas botimit të njërit prej shkrimeve tuaja? Nëse do të krijonit poetin ideal, çfarë karakteristikash do t’i jepnit atij ose asaj, duke përfshirë edhe veshjen? Disa personalitete dhanë përgjigjet e mëposhtme.
Harold BLOOM: Mbaj mend përgjigjen e Elizabeth Bishop, pasi kisha bërë shkrim dhe kisha lavdëruar “Geography there” në The New Republic”, duke thënë me thjeshtësi dhe hijeshi se e pëlqente më shumë se të gjitha shkrimet e tjera për të. Në fjalinë tjetër ajo më kërkoi nëse do të mund t’i shkruaja një rekomandim te Guggenheim. Një letër që ende e kam.
Natyrisht që e bëra, ajo e mori Guggenheim, e cila duhet t’i ketë shkuar pa bezdinë e aplikimit. Të gjithë poetët meshkuj të brezit të saj, midis tyre Robert Lowell, janë të rëndësishëm për periudhën e tyre. Ajo është për të gjitha kohërat.
Stephen BURT: Një person që nuk më ka takuar asnjëherë. Katër vjet më parë, recensionova një libër të ri për një të përjavshme të Bostonit.
Poetja, të cilën nuk e kisha takuar asnjëherë, e pëlqeu aq shumë shkrimin, sa gjeti dhe më postoi një fosil të bukur në shenjë mirënjohjeje. Por shumë shpejt pasi shkrimi u publikua dhe ajo e kishte dërguar, unë ndërrova shtëpi. Me sa duket, ai që jeton tani në apartamentin tim të vjetër në rrugën “Prospect” në New Heaven, ka marrë një pako të lezetshme të një fosili dhe ka vendosuar ta mbajë.
Disa muaj më vonë u takova vetë me poeten; atë e njoh dhe e admiroj, dhe ajo u trondit që fosili nuk kishte arritur tek unë.
Ndoshta kështu duhet të funksionojë arti dhe kritika: ju gjeni gjëra që ju pëlqejnë dhe i dërgoni nëpër botë, dhe ato arrijnë te dikush që ndoshta ju nuk e njihni.
Frank KERMODE: Reagime të tilla janë të rralla dhe, kur jepen, janë shprehje kënaqësie, sepse dikush e ka lexuar dhe e ka kuptuar librin.
William LOGAN: Një fitues i çmimit “Pulitzer” deklaroi se donte të më shtypte me makinë.
Dy poetë kanë shkruar poezi rreth shkrimeve kritike, një veprim i drejtë dhe produktiv në një çast të vështirë. (Ah, sikur poezitë të ishin më të mira!)
Një tjetër fitues i çmimit “Pulitzer” u përpoq të blinte çdo kopje të “New York Times Book Review”, në mënyrë që askush në qytet të mos e lexonte shkrimin tim.
Daniel MENDELSOHN: Disa vjet më parë shkrova për “The Times” mbi një kolanë të re përkthimesh të tragjedive greke, të cilat m’u dukën (me disa përjashtime të vogla) shumë të pakëndshme, një trajtim i dobët ndaj dramave greke dhe ndaj kujtdo që interesohet për to.
Menjëherë, pasi shkrimi im u botua, një nga redaktorët e serisë së përkthimeve më denoncoi publikisht, duke u shprehur se një asistent profesor barktharë i veprave klasike, i dëshpëruar për të pasur vëmendje (dhe, me sa duket, kërkon ngritje në detyrë), (edhe pse nuk jam i sigurt se si do të kishte funksionuar), të flasë keq rreth këtij projekti të ri e të madh, ha, ha, ha.
Natyrisht, ai gaboi me këtë sulm.
Unë nuk jam aspak profesor karrierist, nuk kam qenë asnjëherë në tregun e punës akademike. Kështu që djaloshi përfundoi duke u turpëruar publikisht, më shumë seç kishte shpresuar të më turpëronte mua. Dhe tregoi, gjithashtu, se nuk ishte vetëm një përkthyes i paaftë, por edhe i pakëndshëm. Kjo ishte jo vetëm e paharrueshme, por duhet të them edhe e kënaqshme.
Një tjetër rast ishte kur shkrova njëherë për një roman të tmerrshëm, të cilit iu referova si “romani më i keq i shkruar ndonjëherë”, çka besoj se i tillë ishte, dhe autorin e të cilit nuk e njihja personalisht. Më vonë u takova me të rastësisht në metro. E njohëm menjëherë njëri-tjetrin, por sinqerisht nuk e mbaj mend se çfarë tha apo bëri ai. Por, në fund të fundit, kjo ishte arsyeja e shkrimit. Ky nuk ishte autor që të linte mbresa.
Helen VENDLER: Dikur kam shkruar se një libër kritik i publikuar nga një poet tregonte pandjeshmërinë e tij në përshtatjen e gjuhës.
Në atë kohë unë dhe Seamus Heaney nuk ishim takuar asnjëherë. Në mënyrë të habitshme u prezantuam në një festë. “Oh, ti je ajo kritikja e rreptë?”, tha me të qeshur. Ne u bëmë miq për shkak të përgjigjeve të tij me takt. Ishte një sjellje xhentëlmeni që nuk e kam harruar asnjëherë.
Seamus Heaney (librat e të cilit i kam recensuar) më ka përmendur në dedikimin e librit të tij me përralla “Hailstones” dhe në një libër “The spirit level”. Ky veprim është më shumë se një përgjigje, është një ndër të paktët që do ta mbaj mend gjithmonë, edhe pse më duket i pamerituar.
* * *
Harold BLOOM: Ndërtimin e frazës, atë që Ralph Waldo Emerson iu referua si “argumenti i metrikës”. Diskutime të mëdha dhe fraza të mëdha. Një zotërim absolut i frazës. Ka një ndryshim të madh midis poetëve që shpalosen dhe atyre që zhvillohen. Hart Cranet-it nuk i duhej të zhvillohej. Ai shkruante në të njëjtin nivel në moshën 16-vjeçare e deri kur vdiq në moshën 32-vjeçare. Wallace Stevens, sigurisht, jo vetëm u shpalos... një zhvillim i madh që nga koha kur ishte student në Harvard, duke dalë në publik me “Sunday Morning” në moshën 35-vjeçare dhe në moshën 75-vjeçare shkroi “Of mere beings”. Unë kam qenë i interesuar më shumë në atë që quhet “dëshira e poetit”, lidhja midis poezive me njëra-tjetrën - “the agon” (kështu quaj një nga librat e mi).
Është konkurrenca... ideja athinase për t’u përpjekur të jesh i pari në gjithçka. Është lufta për faktet më të mëdha. Dëshira që në fillim t’ua kalosh të tjetrve dhe më pas të kalosh në fushën e suksesit tënd. Kjo është mëse e qartë, kjo nxiti Milton-in. Nuk mendoj se ishte kjo që nxiti Shekspirin, edhe pse ndoshta doli së bashku me Marlowe-n. Një nga misteret më të mëdha të botës poetike, të cilin ende nuk e kuptoj, është që për 14 muaj Shekspiri arriti të shkruante “Mbretin Lear”, “Makbethin”, “Antoni e Kleopatra”. Është e habitshme. Thomas Carlyle shprehet mbi epërsinë e Shekspirit. “Do të zgjidhja forcën intelektuale nga gjithë të tjerat, që janë sekondare.” Dhe sigurisht, ka pasur poetë me potencial të madh intelektual. Por Walt Whitman nuk është, mendoj, me mjaft potencial, edhe pse ai është çuditërisht një poet i madh. Alfred Lord Tennyson është e qartë që nuk është një mendimtar i njohur, edhe pse Whitman në mënyrë mahnitëse e quan “shefin e të gjithëve ne”. Nga ana tjetër, Browning është mendimtar më i fuqishëm, më origjinal, edhe Emily Dickinson është një mendimtare shokuese, me një origjinalitet njohës të jashtëzakonshëm.
Zonja Dickinson paraqet mendime që askush tjetër nuk i ka menduar më parë, ajo është po aq origjinale në mënyrën e saj, sa edhe Shekspiri. Duhet të përpiqesh shumë të kuptosh atë që thotë ajo. Ajo çdo gjë e ka rimenduar brenda vetes. Prandaj është një mister i madh, nëse e krahason Dickinson me Whitman, ose Browning me Tennyson. Shekspiri në këtë prizëm nuk është enigmë. Ai është mendja më e mirë që ne njohim, e çdo lloji që mund të më vijë në mend. Kjo është arsyeja pse David Hume ishte aq i irrituar me Shekspirin. Ai mendonte se epërsia e Shekspirit ishte e ekzagjeruar. Për disa filozofë, si Hume dhe Wittgenstein, Shekspiri mund të jetë një ofendim i madh, sepse ai ngre pyetjen nëse filozofia mund të ketë ndonjë prioritet apo jo.
Mahnitës është fakti që Hegeli nuk kishte asnjë problem me këtë gjë. Hegeli vetëm e njihte Shekspirin si poetin më të mirë të të gjitha kohërave. Në një nga leksionet e tij mbi artin, Hegeli tha mbi personazhet më të mëdhenj të Shekspirit se ata ishin “artistë të lirë të vetes së tyre”, një depërtim i thellë në atë që Shekspiri është i aftë të bëjë. Këtë nuk mund ta thuash për Z. Pickwick ose Pip te “Great Expectations”, ose për Martin Chuzzlewit. Por kur mendon për Hamletin, Makbethin, Falstaffin, Rosalindën, Kleopatrën ose Jagon, ato e rikrijojnë veten e tyre me kalimin e kohës, duke i bërë që të ekzistojnë në të gjitha kohërat.
Frank KERMODE: Më pëlqen ideja e Stevens-it për një plak endacak e të leckosur, i cili, në raste të përshtatshme, zë vend në krye të tavolinës. (Varfëria kozmike dhe shpagimi i saj i momentit). Ai ose ajo mund të veshë rroba të përshtatshme për zëvendëspresidentin e një kompanie sigurimesh, duke pretenduar se ato janë të përshtatshme për varfërinë absolute; ose një veshje mbrëmjeje që mendohet të jetë e përshtatshme për një festim të madh.
Richard LAMB: Veshja: rehatia e zgjedhjes suaj. Tiparet: admirim, neglizhencë, një mërzi e modës së mërzitshme të diskos, disa karikatura njujorkezësh. Ankth i mjaftueshëm për t’u mposhtur nga bukuria dhe mazohizmi që duhen shijuar; një impuls schoenbergian për të zëvendësuar ëmbëlsinë e lindur me grim të tepruar, një instikt vivaldian për t’iu dorëzuar ëmbëlsisë, çastit, frikës; ego e mjaftuesme për të pasur lëvdatat e botës, por edhe për atë që John Updike e quajti njëherë “personalitet i pavullnetshëm”. Dhe duhet të ruani gjakftohtësinë për të fshehur atë që jeni në të vërtetë.
William LOGAN: Përrallisjet e Coleridge-it, mungesa e respektit rinor e Donne-it, përgjërimi i Keats-it, tullacllëku i Shekspirit, këto do ta bënin poetin perfekt, duke u veshur me pallton e Gogolit.
Helen VENDLER: Poeti ideal nuk do të shqetësohej për famën: Nëse fama më përket mua, unë nuk mund t’i largohem asaj (Dickinson). Poeti duhet t’i ketë gjithmonë veshët hapur si një “peshkaqen lakmitar” (Keats) për të kapur gjuhën e kohës së vet. Poeti ideal do të shkruante shumë poezi dhe do të botonte pak prej tyre. Poeti ideal është Blake, i ulur lakuriq në kopsht me gruan e tij duke dëgjuar Vizionin që i thotë atij “Na luaj me fyell një muzikë për qengjin”.
Ose poeti ideal është Hopinks, kostumi i tij serioz i zi dhe jaka romake, bien në kundërshtim me shpirtin e tij të dalldisur, gjithmonë vigjilent ndaj ekzistencës së gjërave. Ose poeti ideal është Shekspiri me kostum si fantazma e babait të Hamletit, duke ndier me ngazëllim fjalët e tij teksa gjallojnë: “Më kujtoni...”
Përktheu Iris Klosi
6 Korrik 2009