Deti Jon ndotet nga ujërat e zeza
VLORE - Plazhet e bregdetit të Vlorës ndoten nga ujërat e zeza të lokaleve që janë ndërtuar në zonat e plazheve, si dhe nga ndërtimet për gjatë bregdetit. Në këtë sezon turistik, ky është një ndër problemet kyçe për pushuesit. Për turistët që kanë zgjedhur për të pushuar nga zona e Plazhit të Vjetër, pranë shkollë së Marinës, Ujit të Ftohtë, deri në Radhimë e Orikum, përgjatë bregut të detit shtrihen kanalet e ujërave të zeza. Ndërtimet e kryera në bregdet, kryesisht hotele dhe lokale, të cilat nuk janë përfshirë në linjën e impiantit të pastrimit të ujërave të zeza, përbëjnë ndotësin kryesor të detit. Disa prej lokaleve kanë hapur gropa për depozitimin e ujërave të zeza, por ato mbasi mbushen derdhen përsëri në det, ndërsa të tjera i derdhin ato drejtpërdrejtë në detin Jon. Gjithashtu ndotje shkaktojnë dhe disa firma ndërtimi, të cilat punojnë për lokale përgjatë bregdetit, në afërsi të zonave të plazhit. Ujërat e nxjerra nga katllavanet derdhen në det duke ndotur sipërfaqe të tëra uji. Prania e ndotjes të disa zonave të plazhit konfirmohet dhe nga përfaqësues të Zyrës së Mjedisit në Vlorës. Ata pohojnë se do të merren masa për të evidentuar dhe gjobitur deri në bllokim aktivitetet që shkaktojnë ndotjen. q.b