“Kutia e parfumit”, arrestohen 2 persona
KORÇE – “Kutia e parfumit” çon në pranga 2 persona. Një sasi heroine u bllokua nga policia e Korçës, ndërsa u arrestuan personat që e kishin atë në pronësi. Mbrëmjen e së shtunës, forcat e policisë së qytetit organizuan një aksion në lagjen nr.2 në qytetin e Korçës. Sektori i krimit kundër narkotive, pas një pune disaditore në ndjekje të personave të dyshuar për shpërndarjen e drogës, arriti në gjurmët e tyre. Dy persona, një 17-vjeçar dhe një tjetër 22 vjeç u arrestuan, ndërsa në kushtet e flagrancës iu bllokuan dhe 120 gramë lëndë narkotike e ngjashme me atë të llojit heroinë, si dhe një peshore elektronike. Ne momentin e kapjes së shtetasit S.Ll, i pranishëm ishte dhe shtetasi Vasjan Naumi, 18 vjeç. Atij iu gjet dhe iu sekuestrua në banesë një armë luftarake dhe një sasi fishekësh. Nga hetimet paraprake të kryera, rezultoi se sasinë e heroinës së kapur, 17-vjeçari S.Ll e kishte marrë nga shtetasi Mikel Çekrezi. Për të dy këta persona u vendos masa e arrestit në kushtet e flagrancës, me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Ndërsa Naumi për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armeve luftarake dhe municionit”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme, ndërsa po punohet për të zbardhur dhe nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë çështje. j.gj