Kur babai im zbriti në Kosovë...
Bato TOMASHEVIÇ
Jeta në Kosovë në atë kohë ishte mjaft e vështirë dhe aspak e sigurt. Për këtë arsye, pak pas mbërritjes së tyre, babai dhe nëna ime sollën nga Mali i Zi prindërit e tyre, vëllezërit dhe motrat, si dhe të afërm të tjerë, kështu që në kohën e lindjes sime, më 1929, kishte njëzet e tre pjesëtarë të rritur të të dy familjeve, Tomasheviç dhe Rajkoviç, që jetonin në Kosovë. Kjo donte të thoshte, sikurse shpreheshin ata, “njëzet e tri pushkë, si dhe nja tri herë më shumë pistoleta”. Babai im, si të gjithë kolonistët, ishte më se i bindur që të gjitha tokat në Kosovë u duheshin marrë shqiptarëve dhe t’u jepeshin serbëve e malazezëve, duke e justifikuar këtë me “të drejtën e shenjtë serbe” mbi këtë territor. Ai u përfshi sinqerisht në fushatën për rikolonizimin e krahinës, duke shkruar letra në të gjitha pjesët e Malit të Zi, për t’ua mbushur mendjen të afërmve dhe miqve “të zbrisni nga malet e egra, të lini prapa dhitë tuaja dhe jetën e ndyrë e të bashkoheni në rizaptimin e Kosovës serbe”. Në letrat e tij babai përmendte se sa shumë tokë të punueshme mund të merrte çdo familje, si dhe përfitime të tjera: kredi të favorshme bankare për të ndërtuar një shtëpi dhe për të blerë bagëti, kuaj, mjete pune... Ajo që ai nuk e zinte në gojë, ishte fakti që kjo tokë ishte në duart e shqiptarëve, të cilëve u ishte rrëmbyer disa herë me forcë. Mbërritja e malësorëve malazezë në Kosovë sipas traditave të tyre ushtarake lajmërohej me të shtëna armësh dhe, herë-herë, me masakra të banorëve shqiptarë, tokën e të cilëve ata zaptonin. Në sytë e malazezëve dhe serbëve, shqiptarët ishin një mbeturinë e armikut të mundur, Turqisë, kështu që moralisht ata ndiheshin të shfajësuar në trajtimin që u bënin atyre, njëlloj sikurse do të vepronin me turqit. Mbi të gjitha, thonin zakonisht ata, shqiptarët janë sjellë këtu nga turqit, pas rënies së Perandorisë Serbe, për të kolonizuar tokat serbe dhe për të futur besimin dhe zakonet turke. Por shqiptarët besonin se ata jetonin në Kosovë shumë shekuj para mbërritjes së serbëve. Ata e konsiderojnë veten se e kanë origjinën nga ilirët, një popull i lashtë që dikur banonte krejt rajonet lindore të Adriatikut, nga Alpet deri te Shqipëria e sotme.
I lindur më 1929 në një familje malazeze në qytetin e vogël të Mitrovicës, deri në vitin 1945 Bato Tomasheviç jetoi në vende të ndryshme në Kosovë dhe në Malin e Zi. Kur ishte 13 vjeç, iu bashkua partizanëve të Titos dhe përjetoi drejtpërdrejt tmerret e Luftës së Dytë Botërore. Pas diplomimit për drejtësi në Universitetin e Beogradit, më 1953 shkoi në Angli për dy vjet për studimin e anglishtes në Universitetin e Ekseterit, ku takoi gruan e tij të ardhshme, Madge Fillips. Si diplomat jugosllav në Londër, shoqëroi skuadrën e futbollit të Manchester United-it dhe i mbijetoi aksidentit ajror të Mynihut më 1958. Pas martesës, la shërbimin diplomatik dhe shkoi në Beograd, ku punoi si gazetar dhe botues. Si drejtues i TV federal antinacionalist YUTEI, i cili përfundimisht u shkatërrua në Sarajevë, u ndoq penalishte nga regjimi i Milosheviçit dhe u detyrua të ikte me ngut nga vendi më 1991. Ai dhe gruaja e tij shkuan në Angli dhe tashmë jetojnë në Ekseter.
Kujtimi im më i hershëm ka të bëjë me një ngjarje dramatike më 1934. Me sytë e mendjes unë mund të shoh ende oborrin e madh dhe të baltosur të shtëpisë sonë në Mitrovicë, në krahinën e Kosovës. Ai ishte i rrethuar gjithandej me një gardh të lartë, të formuar nga hunj me majë të mprehtë për të penguar ndonjë shqiptar të hynte aty.
Nëna ime doli me turr jashtë shtëpisë, duke tundur krahët dhe duke u thirrur fqinjëve me një zë të tmerrshëm: “Kanë vrarë Mbretin! Kanë vrarë Mbretin!”
I llahtarisur më shumë nga toni sesa nga kuptimi i atyre fjalëve, të cilat unë as që i merrja vesh, vrapova drejt nënës, që qante e rrihte gjoksin me tërsëllimë. Gra të tjera, të ndjekura nga fëmijët, dolën jashtë nga shtëpitë fqinje, duke i bërë zë njëra-tjetrës në panik. Unë nuk e kuptoja se ç’po ngjiste, por ndjeva se isha i kërcënuar nga diçka e tmerrshme që po ndodhte.
Mbi kokat tona u dëgjua një uturimë e çuditshme. Në qiellin e Mitrovicës u shfaq një aeroplan me dy palë krahë, i cili duke bërë rrotullime, hidhte copa letrash që flatronin ngadalësisht drejt tokës, ku dukej sikur shuheshin. E pashlyeshme për gjithë kohën më ka mbetur në kujtesë fytyra e nënës sime, lotët që i rridhnin në faqe, si dhe shprehja e habisë sime kur pashë për herë të parë një aeroplan...
** *
Vrasja e mbretit Aleksandër të Jugosllavisë në Marsejë, më 9 tetor 1934, gjatë një vizite shtetërore në Francë, bëri të qanin shumica e serbëve dhe malazezëve. Aleksandri ishte djali i Peterit I Karagjorgjeviç të Serbisë dhe Zorkës, një princeshë e dinastisë malazeze Petroviç. Për të arritur bashkimin e sllavëve të Jugut nën pushtimin mbretëror të Sebisë, që ishte dhe kombi më i madh, mbreti Nikolla i Malit të Zi, gjyshi nga nëna i Aleksandrit, ishte shtrënguar të abdikonte në nëntor të vitit 1918 në favor të dhëndrit të tij.
Ëndrra e një shteti të bashkuar të sllavëve të Jugut (Jugosllavia) ishte ushqyer jo vetëm nga serbët dhe malazezët, të cilët tashmë kishin mbretëritë e tyre të pavarura, por edhe nga sllavët e Jugut, kroatë dhe sllovenë, që kishin jetuar prej shekujsh brenda Perandorisë Austro-Hungareze. Shteti i ri, që fillimisht u quajt Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, u shpall në Beograd në dhjetor të vitit 1918.
Fitimtarët e Luftës së Parë Botërore, liderët e të cilëve u mblodhën në Versajë për të ribërë hartën e Europës, dhanë miratimin e tyre, duke besuar se një shtet i fortë dhe me popullsi të madhe në Ballkanin përherë të trazuar, proverbialisht “fuçi baruti”, do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit në rajon. Për më tepër, ky shtet i ri mund të shërbente si një amortizator i mirë kundër Rusisë Bolshevike të Leninit dhe përhapjes drejt Perëndimit të revolucionit komunist: ai tashmë kishte mbërthyer Hungarinë fqinje, ku Bela Kun shpalli “Republikën Hungareze Sovjetike”.
Shteti i ri pritej gjithashtu që të pajtonte tri fetë brenda territorit të tij: ortodokse, katolike dhe myslimane, besimtarët e të cilave flisnin të njëjtën gjuhë në disa variante, ose gjuhë të ngjashme, por që gjithsesi ndryshonin shumë, për shkak të së kaluarës së ndryshme historike, kulturore dhe ekonomike. Përveç kësaj, kufijtë e përcaktuar në Versajë përfshinin brenda këtij shteti popullsi të konsiderueshme të disa kombeve josllave: shqiptarë, hungarezë dhe gjermanë.
Por shumë shpejt, nga ana e Serbisë, e cila kishte luajtur një rol heroik në Luftën e Parë Botërore, ia behën problemet për shtetin e ri. Serbët, duke qenë më të shumtët në numër nga sllavët e Jugut, i shihnin sakrificat e tyre të kohës së luftës dhe kontributin që kishin dhënë për fitoren, si mandatin e tyre për të qeverisur kombet e tjera. Prandaj dhe jo më kot sundimi serb, nën drejtimin e mbretit Aleksandër, i cili pasoi shpejt të atin e tij, Peter, nuk ishte popullor midis kroatëve dhe sllovenëve, madje as dhe midis maqedonasve. Pas mundjes së Turqisë në Luftën e Parë Ballkanike (1912), Serbia i shpalli këta të fundit thjesht si serbë jugorë, ndërsa pjesa e saj e Maqedonisë do të ishte Serbia Jugore.
Vdekja e Aleksandrit në Marsejë shkaktoi goditjen e parë në unitetin e sllavëve të Jugut. Vrasja ishte përgatitur nga ustashët, një organizatë e emigrantëve kroatë, me mbështetjen e Italisë dhe të Hungarisë, të cilat të dyja kishin pretendime territoriale në drejtim të Jugosllavisë.
Babai im ishte një patriot dhe monarkist i zjarrtë jugosllav, madje ishte, gati nëse duhej, edhe të vdiste për mbretin dhe për vendin. Në shtëpinë tonë në Kosovska Mitrovica, përveç ikonës familjare të kryshenjtit Mikail, e vetmja fotografi në mur ishte një portret i mbretit Aleksandër dhe mbterëreshës Marie, një princeshë rumune, si dhe tre djemve të tyre, Petarit, Tomislavit dhe Andrejit. Emrat e tyre simbolizonin bashkimin e tri kombeve të ndryshme në një mbretëri të re: Petar (Peter) është një emër që përdoret rëndom në Serbi dhe në Malin ë Zi, Tomislavi në Kroaci dhe Andrej në Slloveni.
Për shkak të mbështetjes së tij për shtetin e ri, babai nuk shkonte mirë me shumë nga shokët e tij, të cilët e kundërshtonin me rreptësi humbjen e shtetësisë nga Mali i Zi i vogël për hir të disa idealeve më të larta sllavo-jugore. Ata donin të ruanin lirinë dhe pavarësinë, për të cilën gjysh-stërgjyshërit e tyre kishin luftuar vazhdimisht gjatë shekujve, ndërsa serbët, grekët, bullgarët, rumunët dhe popuj të tjerë ballkanas kishin qenë nështetas të Perandorisë Osmane. Mali i Zi e pa veten si një bastion të krishtërimit, si një ishull në detin e muhamedanizmit që kishte kërcënuar dy herë madje edhe Vjenën e fuqishme, kryeqytetin e Perandorisë Austro-Hungareze. Prandaj dhe shumë malazezë mbajtën zi për sundimtarin e tyre të fundit, mbretin e moshuar Nikolla, të njohur si “vjehrri i Europës”, qëkurse ai kishte vazhduar të martonte shumicën e nëntë vajzave të tij shtatlarta, elegante dhe bukuroshe me sundimtarë europianë, princa dhe dukë të mëdhenj. (Jelena u bë mbretëreshë e Italisë, Zorka u martua me mbretin e ardhshëm Peter I i Serbisë; Milica dhe Anastasia me dy Dukët e Mëdhenj Romanovë, vëllezër të Carit rus, Anna u martua me Princin Franc Jozef të Batenburgut...)
Pas nisjes së tij në mërgim, pallati i vogël modest i Nikollës në kryeqytetin e tij, Cetinje, u shndërrua në muzeum të dinastisë Petroviç. Orenditë e tij, pikturat, koleksionet e armëve dhe eksponate të tjera tregojnë se nga fundi i shekullit XIX, Mali i Zi baritor dhe fisnor ka bërë hapat e parë të përpjekjeve drejt Europës moderne.
Bashkë me shtetësinë, Mali i Zi humbi rëndësinë e tij ushtarake d politike dhe shpejt filloi të prishej e të përçahej. Shumë të rinj lanë vendin për të kërkuar punë në pjesë të tjera të shtetit të ri, ose në vende të tjera jashtë.
* * *
Rreth gjashtëdhjetë mijë serbë e malazezë, midis të cilëve dhe prindërit e mi, iu përgjigjën thirrjeve patriotike nga Beogradi për të “ripushtuar” Kosovën, të cilën Perandoria serbe e kishte humbur pas betejës së famshme të Fushë Kosovës, më 1389, ku u vranë shumica e fisnikërisë serbe.
Kur babai dhe nëna ime mbërritën në Kosovë më 1920, Mitrovica ishte një vend thuajse i shkretë, i prapambetur, me rrugët gjithë baltë, pa sistem kullimi apo të ujërave të zeza, me lloj-lloj sëmundjesh, ndërsa shpesh pllakosnin epidemitë. Në ato vite të para në Mitrovicë, ata lindën dy vëllezërit e mi më të mëdhenj, Milanin dhe Brankon. Për shkak të vendndodhjes së tij, qyteti i vogël ishte zgjedhur si ndalesë e parë dhe pikëmbështetje për depërtimin e mëtejshëm në Kosovë dhe për të rifituar “tokën e shenjtë serbe”, tashmë e banuar në shumicën dërrmuese nga shqiptarët etnikë. “Kolonët” malazezë, sikurse ishin quajtur, hasën gjithashtu një popullsi të vogël turke, familje që kishin mbetur aty pas tërheqjes së turqve. Ata i shikonin si shqiptarët ashtu dhe turqit, “njerëz të një besimi të huaj”, si armiqtë e tyre.
Të krishterët ortodoksë të sapoardhur ishin shumë të ngazëllyer të gjenin një numër të vogël sivëllezërish serbë ortodoksë, “banorë të vjetër” të Kosovës, të cilët gjatë pesëqind vjetëve të sundimit osman kishin mundur të ruanin gjuhën, besimin dhe zakonet e tyre. Ata kishin mbajtur gjallë gjithashtu kujtimin e pushtetit e të lavdisë mesjetare të Serbisë, legjendat e heronjve dhe fitoreve të shkuara, si dhe disfatën më të rëndë në historinë e gjatë të Serbisë – betejën e Fushë Kosovës, të zhvilluar në Ditën e Shën Vitus-it (Vidovan), më 28 qershor 1389. Nuk ishte rastësi që, pesë shekuj më voë, më 1914, një grup serbësh boshnjakë zgjodhën këtë ditë për të vrarë Arkidukën Franc Ferdinand të Austrisë në qytetin e Sarajevës. Ishte ky akt që shkaktoi Luftën e Parë Botërore, shpërbërjen e Perandorisë Austro-Hungareze dhe krijimin e shteteve të reja të Europës, midis të cilave Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.
Jeta në Kosovë në atë kohë ishte mjaft e vështirë dhe aspak e sigurt. Për këtë arsye, pak pas mbërritjes së tyre, babai dhe nëna ime sollën nga Mali i Zi prindërit e tyre, vëllezërit dhe motrat, si dhe të afërm të tjerë, kështu që në kohën e lindjes sime, më 1929, kishte njëzet e tre pjesëtarë të rritur të të dy familjeve, Tomasheviç dhe Rajkoviç, që jetonin në Kosovë. Kjo donte të thoshte, sikurse shpreheshin ata, “njëzet e tri pushkë, si dhe nja tri herë më shumë pistoleta”.
Babai im, si të gjithë kolonistët, ishte më se i bindur që të gjitha tokat në Kosovë u duheshin marrë shqiptarëve dhe t’u jepeshin serbëve e malazezëve, duke e justifikuar këtë me “të drejtën e shenjtë serbe” mbi këtë territor. Ai u përfshi sinqerisht në fushatën për rikolonizimin e krahinës, duke shkruar letra në të gjitha pjesët e Malit të Zi, për t’ua mbushur mendjen të afërmve dhe miqve “të zbrisni nga malet e egra, të lini prapa dhitë tuaja dhe jetën e ndyrë e të bashkoheni në rizaptimin e Kosovës serbe”. Në letrat e tij babai përmendte se sa shumë tokë të punueshme mund të merrte çdo familje, si dhe përfitime të tjera: kredi të favorshme bankare për të ndërtuar një shtëpi dhe për të blerë bagëti, kuaj, mjete pune... Ajo që ai nuk e zinte në gojë, ishte fakti që kjo tokë ishte në duart e shqiptarëve, të cilëve u ishte rrëmbyer disa herë me forcë. Mbërritja e malësorëve malazezë në Kosovë sipas traditave të tyre ushtarake lajmërohej me të shtëna armësh dhe, herë-herë, me masakra të banorëve shqiptarë, tokën e të cilëve ata zaptonin.
Në sytë e malazezëve dhe serbëve, shqiptarët ishin një mbeturinë e armikut të mundur, Turqisë, kështu që moralisht ata ndiheshin të shfajësuar në trajtimin që u bënin atyre, njëlloj sikurse do të vepronin me turqit. Mbi të gjitha, thonin zakonisht ata, shqiptarët janë sjellë këtu nga turqit, pas rënies së Perandorisë Serbe, për të kolonizuar tokat serbe dhe për të futur besimin dhe zakonet turke.
Por shqiptarët besonin se ata jetonin në Kosovë shumë shekuj para mbërritjes së serbëve. Ata e konsiderojnë veten se e kanë origjinën nga ilirët, një popull i lashtë që dikur banonte krejt rajonet lindore të Adriatikut, nga Alpet deri te Shqipëria e sotme. Për disa shekuj fiset ilire i rezistuan me sukses depërtimit romak nga bregdeti lindor i Adriatikut, derisa ndodhi beteja e famshme pranë Nesactium-it ( në veri të Pulja-s së sotme) në vitin 177 para Erës së Re, kur mbreti i mundur i ilirëve dhe fisnikët e tij kryen vetëvrasje kolektive. Pasi nuk ka të dhëna përfundimtare historike se cilët u vendosën të parët në Kosovë, serbët apo shqiptarët, problemi nuk është zgjidhur dhe ka mbetur një burim i përhershëm mërie midis këtyre dy kombeve, jo të pangjashëm në karakter e zakone.
Konflikti për tokën në Mitrovicë dhe gjithandej Kosovës u shoqërua me gjakderdhje të shpeshta. Malazezët e serbët udhëtonin në grupe dhe bënin kujdes të mos endeshin të vetmuar në një fshat shqiptar. Madje, edhe një udhëtim i rëndomtë në pazar kërkonte të ishe tepër i kujdesshëm. Pas luftës, një fqinj yni në Mitrovicë kujtonte ato ditë:
“Kujtoj nënën tënde, Milicën, e cila mbi fustanin e saj të vjetëruar, të gjatë dhe të zi, mbante një brez lëkure me dy revolverë, një në secilën ije. Ju të vegjlit qëndronit përherë ngjitur me të. Gratë tona malazeze mund të shtinin me të dyja duart, si dhe të dërgonin në botën tjetër këdo që përpiqej të prekte fëmijët e tyre.”
Para se të ngrysej, burrat e familjes duhej të siguronin dyert e dritaret, kontrollonin të gjitha rrugët pranë shtëpisë dhe, kur e shihnin punën pisk, u shpërndanin armë pjesëtarëve të rritur të familjes. Në mëngjes ato mblidheshin dhe fshiheshin diku, derisa binte nata tjetër. Baballarët e quanin për detyrë t’u mësonin të gjithë fëmijëve, si djemve ashtu dhe vajzave, si përdoreshin armët. Mua më kujtohet se si oshëtinin oborret, ndërsa familjet stërviteshin për të qëlluar me pushkë. Madje, para se unë të fitoja shkollën, babai më mësoi se si të qëlloja drejtpërdrejt: “Mund të vijë dita që jeta jote të varet nga kjo”, thoshte zakonisht ai.
Në oborrin tonë ishte një dardhë e vjetër, e cila mbushej gjithnjë plot me zogj që cicëronin, një objektiv ky mjaft i preferuar për ne fëmijët: ne bënim garë se kush do të vriste më shumë zogj. Ata fluturonin të gjithë kur fillonte qitja, por ktheheshin shpejt, pasi nën dardhë ishte një pirg i madh me pleh. (Fragment nga libri)
Përktheu Xhevdet Shehu
6 Korrik 2009