E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marshi i helmit në tru



Rudyard KIPLING

Nuk sheh ku shkel, as pyet Roma,
Me thundra shkel e shtyp më shpesh
Stomakët, zemrat, kokat tona,
Se si rënkojmë nuk vë vesh.
Për të gjithçka: të shtypë e shkojë,
Po prapa saj nëpër kolona,
Ne komplotojmë ta rrëzojmë,
Me gjuhë mprehim shpatat tona.
Pak njerëz jemi ne, më pak
Të dashurojmë a të urrejmë,
Po veç na lini, jo aq larg,
Përmbys ne shtetin do ta kthejmë.
Ne jemi tenjë në rrënjë e kërcu,
Ne jemi mola brenda në dru,
Ne jemi gjemba në këmbë e në gju,
Ne jemi helmi në gjak e në tru.
Dhe minjtë kabllo duke brejtur,
Dhe vidrës etja nuk i shuhet,
Dhe molat duke grirë petka,
Secili bën atë ç’i duhet.
Kështu me ne njësoj po ngjet,
Të zënë jemi gjer në fyt,
Punojmë ne, punojmë fshehtë,
Po prisni ç’do t’ju shohin sytë.
Vërtet ne s’jemi aq të fortë,
Por popujt janë, e besojmë,
Do t’i mësojmë sot e mot,
Në luftë si t’ju shpartallojnë.
E prapë skllevër nga kjo luftë?
Po, kemi qenë skllevër-tallje,
Veç si të vdisni ju me turp,
Mbi varrin tuaj do hedhim valle.
Pak njerëz jemi ne, më pak
Të dashurojmë a të urrejmë,
Po veç na lini, jo aq larg,
Përmbys ne shtetin do ta kthejmë.
Ne jemi tenjë në rrënjë e kërcu,
Ne jemi mola brenda në dru,
Ne jemi gjemba në këmbë e në gju,
Ne jemi helmi në gjak e në tru.

Përktheu Qazim Shemaj

6 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›