E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, 1.5 % të votuesve nuk kanë aplikuar për karta

Në përfundim të procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti, Gjirokastra rezulton ndër qarqet me ecuri më pozitive në këtë drejtim në vend, pasi kanë aplikuar dhe janë pajisur me letërnjoftimet elektronike rreth 98.5 % e banorëve që nuk dispononin pasaporta, kategori së cilës iu dha më tepër prioritet. Në rang qarku, llogaritej në 17515 shifra e personave që nuk ishin të pajisur me pasaporta, prej të cilëve tashmë ka mbetur rreth 1.5 % pa kryer aplikimet përkatëse e që në fakt rezultojnë të jenë persona që kanë ndërruar vendbanim apo jetojnë në emigracion. Për prefektin e Qarkut, Mimoza Çomo procesi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti ishte një premtim i qeverisë, i realizuar me sukses. Procesi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti në Qarkun e Gjirokastrës startoi në datën 16 shkurt të këtij viti. Ai filloi në Bashkinë e Gjirokastrës si qendër- qarku, ku në dispozicion të banorëve ishin 3 operatorë, për të vijuar më tej me të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Qysh në ditët e para, ky proces u karakterizua me një fluks të lartë aplikimesh, ndërsa qytetarët e kanë vlerësuar atë si mjaft të rëndësishëm. Nisur nga kërkesat gjithnjë e në rritje si dhe për të shmangur problematikat e ndryshme që mund të krijoheshin, të gjithë operatorët në qark kanë punuar deri në orët e vona të mbrëmjes dhe gjatë ditëve të fundjavës. Këto masa të marra nga Ministria e Brendshme kanë bërë që për asnjë moment të mos krijoheshin probleme dhe që puna të ecte normalisht. Rreth 2000 letërnjoftime elektronike të prodhuara për banorët e Qarkut të Gjirokastrës priten të tërhiqen dhe prefektja Çomo u ka bërë thirrje gjithë aplikantëve, ti tërheqin ato për tu mundësuar votimin. Qarku i Gjirokastrës ka rreth 130 mijë votues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›