E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, 15 grupe jugore i gëzohen Lojnave Popullore Antigonea 2009

Takimi i Tretë i Riteve Pagane dhe Lojnave Popullore Antigonea 2009 ka mbledhur dje 15 grupe nga i gjithë jugu i vendit. Veprimtaria në fjalë cilësohet si një nga më masivet të fokusuara në fushën e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore që ka nisur të organizohet në mënyrë periodike nga ana e Zyrës për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër. Ky takim që synon të zgjerohet nga viti në vit mbulon fushën e evidentimit të vlerave të trashëgimisë së lashtë shpirtërore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka për qëllim nxitjen e zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm kulturor në këtë zonë dhe komunitetin e fshatrave përreth. Ai ka nisur dy vjet më parë si një bashkëpunim i stafit të parkut antik dhe organizatave të ndryshme donatore. Organizatorët dhe komuniteti i banorëve të zonës e shfrytëzojnë veprimtarinë jo vetëm për zhvillimin e turizmit kulturor në këtë zone, por edhe për të ruajtur rite dhe tradita të lashta që janë duke u zhdukur duke nxitur dëshirën e moshave të reja për të interpretuar ritet dhe lojnat e lashta pagane. Për drejtorin e Parkut të Antigonesë, Ëngjëll Serjani, në vitin 2007 aktiviteti kishte karakter lokal që përfshiu dy bashki dhe disa komuna të rrethit të Gjirokastrës, në vitin 2008 u zgjerua duke përfshirë pjesëmarrjen e grupeve nga rrethet e rajonit jugor si, Gjirokastra, Tepelena, Saranda, Përmeti dhe Delvina, ndërkohë që sot është arritur të ketë shtrirje rajonale me pjesëmarrje të grupeve përfaqësuese edhe të minoritetit etnik grek. Ritet pagane dhe lojnat popullore përbëjnë vlera të paçmuara të kulturës kombëtare dhe shprehin vlera të caktuara të multikulturave dhe bashkëjetesës mes popujve fqinjë dhe më gjerë, është shprehur për gazetën, Serjani. Organizimi i përvitshëm i kësaj veprimtarie në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, është njëkohësisht edhe një promovim më i mirë për këtë park nëpërmjet aktiviteteve kulturore në terren të hapur. Ky event sipas Serjanit, krijon mundësi për rigjetjen e motiveve të kostumeve të kohës së lashtësisë, sipas grupmoshave dhe gjinisë, në shërbim të aktiviteteve të tjera që shtojnë të ardhurat e parkut siç është fotografia, filmimi dhe shfaqjet e teatrit antik në mjediset e rrënojave të qytetit të Antigonesë. Gjatë veprimtarisë së djeshme u akorduan edhe disa tituj nderi nga ana e Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës për disa personalitete të arkeologjisë dhe punonjës të parkut arkeologjik të Antigonesë ku mes të cilëve spikaste Neritan Ceka, Shpresa Gjongecaj, etj të cilët janë vlerësuar me titullin Qytetar Nderi i Qarkut të Gjirokastrës. Veprimtaria u shoqërua me vizita në monumentet e Parkut Arkeologjik dhe në monumentet e kulturës dhe natyrës të zonës të zonës përreth si: Kisha e Shën Kollit në Saraqinishtë, Manastiri i Spilesë, Porta e Netajve në Saraqinishtë, Rrapi i Tranoshishtës, Krojet e Saraqinishtës, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›