E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, 150 persona privohen nga tërheqja e kartave

Numri i personave që paraqiten për të tërhequr kartat e identitetit në prefekturën e Gjirokastrës, është në nivele tepër të ulëta. Edhe pse afati i tërheqjes së tyre me qëllim për të votuar përfundon në datën 27, qytetarët e Gjirokastrës ende nuk janë impenjuar të marrin dokumentin e identifikimit për të votuar ditën e diel. Ndërkohë që kreu i qeverisë ka bërë të ditur se këto karta nuk do të tërhiqen ditën e diel, sepse kjo ditë është përcaktuar vetëm për votim, dhe sipas tij ata persona që kanë ndërmend të votojnë e kanë tërhequr kartën më përpara. Ndonëse Institucioni i Prefektit dëshmon të kundërtën, punonjëset e zyrës së aplikimit në Bashkinë e Gjirokastrës, shprehen nën zë se numri i personave të paraqitur në këtë zyrë përditë është nga 30-40 persona, ndërkohë që shifrat zyrtare dëshmojë se numri është nga 100-150. Mjaft prej banorëve janë paraqitur disa herë për të tërhequr dokumentin e ri identifikues, pasi punonjëset e kësaj zyre kanë qenë tepër stoike në paraqitjen e fletëve që dëshmojnë, që kanë aplikuar. Në mungesën e tyre, shtetasit që janë paraqitur nuk kanë mundur dot ti tërheqin ato, pasi u janë humbur dhe kësisoj tërheqja e kartave të reja elektronike është e pamundur, çka dëshmon se do të jenë të privuar të votojnë. Këtë shqetësim për çudi nuk e kanë ngritur si problem partitë opozitare në Gjirokastër pasi ato merren me përgatitjet e fundit parazgjedhore me plotësimin e komisionerëve në qendrat e votimit, grupin e ruajtjes së votës etj. Duke iu referuar burimeve zyrtare nga Institucioni i Prefektit të Gjirokastrës, në të gjithë rajonin e Qarkut nuk do tu jepet mundësia të votojnë rreth 250 personave ndërkohë që ky numër në datën 18 të këtij muaji, që ishte edhe afati i fundit për aplikim, rezultonte të ishte 500 po nga të njëjtat burime. Po ashtu, këto burime nuk precizojnë se sa është numri i kartave të identitetit të pa tërhequra nga zyrat e aplikimit në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës. Këta persona që nuk janë pajisur me karta, janë emigrant jashtë shtetit ose të migruar në zona të ndryshme të Shqipërisë, ndërkohë sipas të njëjtave burime theksojnë se në Qarkun e Gjirokastrës janë të pajisur me të gjithë mjetet e identifikimit afro 95% e banorëve me të drejtë vote. Lëvizjet kanë filluar të ndihen edhe në pikat kufitare në Qarkun e Gjirokastrës. Kështu, në Kakavijë gjatë dy ditëve të fundit numri i atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e procesit zgjedhor i ka kaluar 6000 vetët, ndërkohë që ky numër pritet të jetë mjaft i ndjeshëm në dy ditët e ardhshme.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›