E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi i matematikës, 2700 maturantë ngelës

Maturantët që morën pjesë në provimin e matematikës të Maturës Shtetërore dolën të zhgënjyer. Në fakt kjo gjë u vu re që në momentin që ato dolën nga provimi dhe pohuan se niveli i testit ishte shumë i vështirë për nivelin e tyre përgatitor në vitet e shkollës së mesme. Ato që e ndjenë edhe më shumë ishin maturantë që kishin qenë pjesë e profilit shoqëror dhe ku lëndët ekzakte siç është matematika ishin në plan të dytë. Kjo gjë solli edhe një numër të lartë ngalësish, ndryshe nga çfarë ishte pohuar deri më tani nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e cila ka pohuar se niveli i nxënësve të këtij viti ka qenë i mirë.  Statistikat e dala nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, tregojnë se në provimin e dytë të Maturës Shtetërore, kanë rezultuar mbetës afro 2.700 maturantë, e thënë ndryshe, gati 12 për qind e maturantëve që morën pjesë në testim. Numri i mbetësve në Matematikë është shumë më i lartë se ai në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Në provimin e parë me detyrim, rezultuan mbetës 1.600 maturantë, ndërsa në provimin e dytë 1.100 maturantë më shumë. Numri e mbetësve në Matematikë është përafërsisht i njëjtë me atë të mbetësve në provimin e dytë me detyrim që u dha vitin e kaluar. Interesante në provimin e Matematikës është numri i vogël i notave 10 të marra. Kështu, nëse në vitin e kaluar, në testimin ku morën pjesë 31.959 nxënës, u morën 535 nota 10-të, këtë vit, në 35 mijë nxënës të testuar, këtë notë e kanë marrë vetëm 470 nxënës. Çudia që dallon rezultatet e Matematikës nga ato të Letërsisë është se në provimin e dytë me detyrim, që pretendohet të jetë edhe më i vështirë, nxënësit kanë marrë më shumë 10-ta se në provimin e parë. Në testimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe u morën vetëm 200 nota 10-të, ndërsa në Matematikë, me po të njëjtin numër nxënësish dhe me më shumë mbetës, janë marrë dyfishi i notave 10-të të provimit të parë. Në total parashikohet që rreth 3 mijë maturantë t'u kenë thënë lamtumirë pranimeve në shkollat e larta për vitin akademik 2009-2010. Gjithsesi, fati i secilit maturant do të shikohet ditën e sotme, kur do të dalin edhe përgjigjet e provimit të dytë të Matematikës, që do të përmbyllë fazën e parë të provimeve të Maturës Shtetërore për vitin 2009. Tashmë, pas provimit të dytë të detyruar, radha i vjen provimit të lëndëve me zgjedhje. Ku provim do të zhvillohet më datë 10 korrik. Në këtë provim do të marrin pjesë vetëm ato nxënës të cilët rezultuan kalues në dy provimet e detyruar të Maturës Shtetërore që ishin ai i letërsisë dhe ai i matematikës. Me anë të këtij provimi kandidatë për studentë do të testohen për t'u pranuar në universitetet publike për vitin e ri akademik 2009-2010.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›