E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një mesazh i munguar

Nga Gazmend LITA
Fushata elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit po e mbyll siparin, duke lënë pas hijen e një beteje vërtet të ashpër, në ringun e të cilës kundërshtarët kanë hedhur dhe vijojnë që të hedhin gjithë arsenalin e tyre propagandistik, mediatik e politik. Ajo që ka munguar dhe mungon në komunikimin e kandidatëve me publikun është gjuha e moderuar, ajo gjuhë që përmban argumentin dhe jo fyerjen e përbaltjen e kundërshtarit. Kandidatët, siç duket, e kanë më të lehtë që të shajnë e të shpifin për njëri-tjetrin, se sa të japin argumente e të shpalosin alternativa konkrete. Duket se shoqërisë shqiptare do ti duhet të presë akoma gjatë, për të marrë nga politika dhe politikanët mesazhe tolerance, mirëkuptimi e bashkëjetese të kundërtash, të cilat në fakt, janë guri i themelit të pluralizmit politik. Ky është një mesazh i munguar edhe për këto zgjedhje parlamentare, mesazh që urojmë të mos iu mungojë gjatë shqiptarëve. Politika, duke qenë, siç thotë Karl Poper, një urë për të lidhur qytetarin me të drejtën e tij për të qeverisur dhe për tu qeverisur, presupozon mbi të gjitha ngritjen e saj mbi themele të traditës morale, mbi ato themele, që janë pika referimi të kujtesës kolektive të një kombi. Tek kjo traditë politikanët mund të gjejnë fillesat e një shkolle të fortë politike. Mund të gjejnë modelin e konkurrimit të ndershëm, mënyrën se si funksionon verdikti i më të aftit. Politika e këtij vendi, nëse ka një defekt të madh principial, ky është mosfunksionimi mbi themelet e traditës, të asaj tradite, që iu ka rezistuar kohërave dhe ka dëshmuar gjenialitetin e mendimit kolektiv të botës shqiptare. Ka qenë dhe mbetet një parim i odave shqiptare, që kuvendi të bëhet me radhë, të flasë njëri e të dëgjojnë të tjerët, të mos flasin të gjithë njëherësh, por ti lënë radhë njëri-tjetrit. Mënyra e të bërit kuvend në odën shqiptare është sanksionuar dhe në disa kode të komunikimit popullor, në Kanunin e Lekë Dukagjinit, në Kanunin e Skënderbeut dhe në atë të Papa Zhulit, tre ikonat brilante të funksionimit të së drejtës shqiptare. Penalizimet për shkak të shkeljes së rregullave strikte të funksionimit të kësaj ode, të këtij kuvendi, ku shpesh janë marrë vendime me peshë historike për fatet e kombit, pasqyrohen gjerësisht në këto akte, duke treguar seriozitetin e komunikimit komunitar, si pjesë e rëndësishme e sistemit të vlerave qytetare të shoqërisë shqiptare.
Në Kanune ndalohet kategorikisht marrja nëpër gojë dhe shpifja ndaj familjarëve të kuvendarëve, veçanërisht e grave dhe fëmijëve të tyre, duke treguar se oda korrekte shqiptare mbartte kumte filozofike, etike e humane, të denja për tu marrë si model nga çdo strukturë politike e partiake në këtë vend, ku këto struktura, për fat të keq, janë shndërruar në Kasandra ndjellakeqe. Mbrojtja ligjore e të dobtëve dhe e të paprivilegjuarve është në themel të së drejtës kolektive shqiptare, është bazamenti më i fortë historik, moral dhe etik i një mendësie të ngritur në sistem filozofik dhe kod sjelljeje, në kushtet e mungesës së shtetit. Sot, në prani të shtetit, që thuhet se është një shtet ligjor, kjo mendësi, në vend që të forcohet dhe të ngrihet në një shkallë të re, është kthyer në një antipod, ku përplasen interesat dritëshkurtra të klaneve politike dhe të politikanëve tanë. Tani në këtë fushatë të tejngarkuar emocionalisht dhe me mllefe të çastit, nga kuintat e politikës fabrikohen shpifje nga më të ndryshmet, ku shpesh në fokus të tyre është familja e politikanit, gratë dhe fëmijët. Etika zero e komunikimit, etja për të shpifur e denigruar, ngutja për të përbaltur kundërshtarin, po kthehet në një kod sjelljeje, me të cilin çuditërisht pajtohet dhe shoqëria shqiptare. Në fakt, mbi këtë shoqëri, mbi të ardhmen e saj bie ky gong ulëritës, duke zgjatur ende tranzicionin, kostoja e të cilit rëndon jo vetëm në xhepat e shqiptarëve por, mbi të gjitha, në psikolgjinë e tyre në raport me shtetin dhe politikën. Bie fjala, zoti Rama nuk ka nguruar për asnjë çast gjatë gjithë kësaj kohe të një fushate të ngjeshur dhe të ngarkuar me mllefe elektorale, të hedhë në tregun mediatik dhe podiumet e radhës përbaltje nga më të trishtat ndaj rivalëve të tij politikë, të cilat nuk mbajnë kurrfarë ere politikë e re. Nga ana tjetër, z. Rama nuk pranon të përballet me kundërshtarin e tij politik z. Berisha në televizion, ku mund të tregonte konkretisht dimensionet e politikës së tij të re. Për fat të keq, këtu në vendin tonë, retorikat e radhës ngrenë e shembin me një të rënë të lapsit ngrehina të tëra premtimesh, fjalëdhëniesh e besëdhëniesh, kandidatët lëshojnë lumenj fjalësh të zgjedhura për lumturinë e premtuar të popullit dhe, sapo hipin në fron, nuk ekziston më asgjë, as premtimet e lëshuara pa doganë, as blloqet e telefonave, as dëshira për ti thënë dikujt që iu dha gjënë më të çmuar, besimin e tij, të paktën  një faleminderit. Kur ndodh kjo, ka ndodhur më e keqja e mundshme. Ky tranzicion i stërzgjatur iu ka falur shqiptarëve instinktin e pritjes, pritjes virtuale që të mund të përmirësohen kushtet e tyre të jetesës, të mund të rriten standardet nga politikbërja e forcave politike, që marrin në dorë qeverisjen e radhës. Nga pas-kuintat e shpërdoruara të kësaj politike, dalin skenare të dobët thashethemesh, përbaltjesh, akuzash që nuk kanë të mbaruar, pjesë e një sjelljeje politike të cilës i mungon përgjegjësia dhe për rrjedhojë morali. Politika jonë, për fat të keq, nuk ngrihet as në nivelin e një kuvendi fshati, ku shkolla e të debatuarit është, mbi të gjitha, shkolla e sitjes së vlerave dhe e konkurrimit të ideve. A ka konkurrim idesh kjo politika jonë? A ka konkurrim platformash dhe alternativash? Kjo vërtet që vlen për të dëshiruar. Edhe në këtë fushatë që sapo ka filluar, për fat të keq kandidatët dhe oborret politike, janë nisur në betejë me ushta të ndryshkura, kësisoj duken aq të vjetër e të lodhur, saqë  në fakt nuk sjellin vlera politike. Më e pakta që mund të bëjnë oborret e politikës sonë është të studiojnë traditën, të studiojnë, siç thamë, vlerat e të kuvenduarit popullor, pasi këtu fshihet një pasuri e madhe vlerash, mbi të cilat mund të ngriheshin platforma efektive paraelektorale, elektorale e paselektorale. 
Last Updated on Friday, 26 June 2009 02:22

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›