E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, 2 në pranga për trafik

 

GJIROKASTER - Policia kufitare arreston dy persona që përpiqeshin të transportonin klandestinë drejt shtetit grek, me qëllim përfitimin. Sipas burimeve zyrtare, 34-vjeçari Ardian Baullari dhe 30-vjeçari Ardian Mici, të dy banues në fshatin Gërmenj janë arrestuar me akuzën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se dy të arrestuarit janë ndaluar së bashku me 5 klandestinë nga fshati Spolat i komunës Gradisht të rrethit Lushnjë, ndërmjet të cilëve edhe dy fëmijë, në tentativë për të kaluar kufirin. Ndalimi i tyre është bërë në vendin e quajtur “rruga e Mullirit”, në afërsi të pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës dhe nga hetimet ka rezultuar se dy të ndaluarit ishin organizatorët e trafikut dhe do të përfitonin nga 1 mijë euro për secilin prej klandestinëve. Pritet që dy të ndaluarit të merren në pyetje për trafikun nga Lushnja drejt Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›