Gjirokastër, 63 nxënësit ekselentë vlerësohen me certifikata mirënjohjeje

Bashkia e Gjirokastrës vlerësoi 63 nxënësit ekselentë me certifikata mirënjohjeje, si dhe iu dha bonusi i miratuar në Këshillin Bashkiak, nga 5 deri në 10 mijë lekë të reja për secilin prej tyre.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha se “këta nxënës janë krenaria më e madhe për familjet e tyre dhe për qytetin”.
“Ky vlerësim është modest në raport me shembullin e shkëlqyer që ata iu japin bashkëmoshatarëve të tyre, por i mjaftueshëm për t’i inkurajuar që të vijojnë më tej rrugën e dijes dhe shkollimit”, theksoi Golemi.
Kryebashkiaku shprehu bindjen se në të ardhmen në një formë apo në një tjetër këta djem e vajza do t’ia kthejnë mirënjohjen dhe vlerësimin Gjirokastrës me punën e talentin e tyre.
“Gjirokastra ka qenë e do të jetë vatër e dijes dhe njerëzve të mençur. Ne do të vazhdojmë të investojmë më shumë në arsim për t’i krijuar të gjitha kushtet e domosdoshme fëmijëve tanë”, – tha Golemi.