Përfundon ujësjellësi i ri në Krujë, 24 orë ujë pa ndërprerje

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi sot pamje nga puna e bërë për ndërtimin e ujësjellësit.
“Për herë të parë, krutanët do ta kenë pandërprerje këtë shërbim që asnjëherë, as në kohën e komunizmit s’ka qenë 24 orë non stop. Një vepër inxhinierike komplekse, e shtrirë në një terren tejet të thyer malor në vargmalet e Skënderbeut, kilometra të tëra linjë e re dërgimi që sot është në fazën e fundit të testimit e kolaudimit”, – theksoi Rama.
Ujësjellësi i ri i Krujës do të sigurojë jo vetëm furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, por njëkohësisht do të eliminojë humbjet dhe ndotjet e ujit në rrjet. Projekti parashikon gjithashtu edhe mbulimin me ujë të pijshëm të zonës së Sarisalltikut.
Ky është një projekt jetik për qytetin e Krujës, i cili i jep zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë, një problem i trashëguar në mbi 30 vite.