Gjirokastër, Agim Dida shkoi me paramendim për të vrarë ish-kunatin

Policia e Gjirokastrës në vendin ku u vetëvra Agim Dida
GJIROKASTER – Zbardhen detaje të tjera rreth ngjarjes së të enjtes, kur një 55-vjeçar nga Tepelena u vetëvra pasi kishte qëlluar me armën e tij mbi ish-kunatin. Burime të Policisë kanë konfirmuar për gazetën “Panorama” se Agim Dida e kreu krimin me paramendim ndaj ish-kunatit të tij. Kjo është bazuar mbi dëshmitë e dhëna nga të afërm dhe familjarë të të plagosurit Alket Salaj mesditën e djeshme. Sipas të dhënave të cilat i disponon grupi hetimor i kësaj ngjarjeje, 55-vjeçari Dida kishte marrë me vete pistoletën të cilën e mbante të fshehur në fshatin e tij të lindjes dhe ishte nisur në drejtim të Sofratikës, aty ku do të kryente krimin. Prania e Salajt në Sofratikë ishte e garantuar, pasi ai me vëllezërit e tij administrojnë në këtë fshat një pikë shumice të materialeve të ndërtimit, e cila shërben për të gjitha ndërtimet që realizohen në këtë zonë. Dida ishte nisur në drejtim të Sofratikës, i sigurt se aty do të gjente njërin prej vëllezërve Salaj. Fati i keq i ka qëlluar Alketit, i cili sapo ishte kthyer nga Janina pasi kishte marrë një ngarkesë çimentoje për biznesin e vet. Mësohet se Dida ishte afruar tek njësia e shitjes me shumicë e materialeve inerte që u përket vëllezërve Salaj dhe më pas u gjend në një prej lokaleve të fshatit. Gjithçka ka ndodhur nën një tension mes viktimës dhe Alket Salajt, i cili mbeti i plagosur në gjoks, nga një plumb i shkrehur prej kunatit të tij, Agim Dida. Alket Salaj, pas marrjes së plumbit u shtrua në spitalin e Gjirokastrës ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e plumbit nga kraharori. Salaj ende ndodhet i shtruar në spitalin e Gjirokastrës, pasi i është nënshtruar një terapie intensive pas plagosjes me armë zjarri tip pistolete nga ish-kunati i tij, 55-vjeçari Agim Dida.
Ky i fundit, ndonëse i padivorcuar ligjërisht, nuk jetonte me ish-gruan, por i vetëm në Tiranë. Ngjarja ka bërë bujë në mbarë zonën, pasi në Dropull është rasti i parë që ndodh një vrasje me armë, aq më tepër brenda një familjeje. Banorët e fshatit Sofratikë nuk kanë dhënë asnjë lloj opinioni rreth vëllezërve Salaj, pasi kanë qëndruar larg komunikimit me ta. Vetëm disa orë pas ngjarjes, familjarë të viktimës Dida kanë tërhequr trupin e tij nga morgu. p.n