E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Kozares, vendimi: Burg përjetë Luan Marës

Berat/ Reagojnë familjarët: Do ta çojmë çështjen në Strasburg.

Gjykata rrëzon Kushtetuesen: Ekzekutoi familjen e vëllait.

Thuajse një vit nga momenti kur Kushtetuesja anuloi bur-gimin e përjetshëm për të akuzuarin e masakrës së Kozares, Gjykata e Beratit ka dhënë dje sërish dënimin kapital për Luan Marën. Pasi ka shqyrtuar provat e Prokurorisë, trupi gjykues e shpalli fajtor Luan Marën për vrasjen e trefishtë të ndodhur më 10 shkurt 2006, në fshatin Kozare. Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj më 3 maj 2011, theksoi se pas ndalimit Luan Mara është marrë në pyetje pa praninë e avokatit. Në këto rrethana i janë marrë deklarime mbi fajësinë e tij pa një mbrojtës ligjor dhe dokumentet që ndodhen në dosje provojnë se deklarimet e dhëna ishin artikuluar në kushtet e dhunës fizike të ushtruar ndaj tij. Luan Mara u arrestua në vitin 2006 për vrasjen e vëllait të tij, Shpëtimit, kunatës Flories (e cila ishte shtatzënë) dhe djalit të tyre 2-vjeçar, Artiol Mara. Sipas akuzës, ai kishte vrarë vëllain, gruan e tij dhe fëmijën për të fshehur një marrëdhënie me kunatën.
Në seancën e djeshme, prokurori i çështjes replikoi me mbrojtjen e të pandehurit. Kjo pasi mbrojtja kërkoi shpalljen të pafajshëm të Luan Marës dhe kërkoi lirimin e tij, duke argumentuar se nuk kishte prova për ta mbajtur atë në burg. Sipas tij, ndaj klientit është ushtruar dhunë jashtë të gjitha kritereve. “Keqtrajtimi për rreth 8 muaj ka bërë që Luan Mara, pa prezencën e avokatit mbrojtës, ta pranojë krimin. Ai është goditur rëndë në nofullën e djathtë dhe në këmbë. Torturat në orët e vona e detyruan atë të pranojë krimin. Ai e pranoi krimin në efektin e dhunës dhe torturave të policisë”, u shpreh avokati mbrojtës. Por, përfaqësuesi i akuzës theksoi se kishin fakte dhe prova të padiskutueshme që autori i kësaj ngjarjeje është Luan Mara.
Më pas, trupi gjykues u tërhoq për të dhënë verdiktin e tij për një nga krimet më të rënda të ndodhura në Shqipëri në 10-vjeçarin e fundit. Vendimi me “burg të përjetshëm” ka sjellë reagim të ashpër të familjarëve të Luan Marës, ndërsa mbrojtja theksoi se çështjen do ta çonte në Gjykatën e Apelit të Vlorës, e madje ai do ta ndiqte atë deri edhe në Gjykatën e Strasburgut. “Djali im po rri padrejtësisht në burg. Po ta kishte kryer Luani krimin, unë do ta kisha vrarë me duart e mia. Nuk është autori djali jonë, dikush tjetër është vrasësi. Ne do ta kërkojmë deri në Strasburg, pasi nuk e kuptojmë pse drejtësia mbulon vrasësit. Ata na kanë shkatërruar si familje, s’na takon neve të mbajmë këtë turp mbi kurrizin tonë”, u shpreh babai i Luan Marës, 65-vjeçari Shefqet Mara. Ndërsa vëllai tjetër i të dënuarit me burgim të përjetshëm, Ilir Mara, u shpreh dje se nëse drejtësia nuk do të zbardhë të vërtetën, atëherë ata do të detyrohen të bëjnë vetëgjyqësi. “Ne nuk do ta lëmë me kaq këtë çështje. Do ta ndjekim në organet më të larta të Drejtësisë shqiptare dhe ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Krimi i katërfishtë, pas dyshimeve për tradhti
Krimi i katërfishtë ndodhi më 10 shkurt 2006. Shpëtim Mara, me gruan shtatzënë në kohën kur ndodhi ngjarja dhe djalin 2-vjeçar, u gjetën të vdekur në banesën e tyre, në fshatin Kozare, pasi ishin vrarë gjatë natës. Sipas versionit të Prokurorisë, një ditë para ngjarjes, më 9 shkurt 2006, rreth orës 19:00, Shpëtim Mara shkoi për një vizitë te vëllai i tij, Iliri, me gruan dhe djalin 2 vjeç. Rreth orës 21:00 ata janë rikthyer në banesën e tyre. Në këtë kohë, në banesën e Shpëtim Marës ka shkuar vëllai i tij, Luani, i cili sipas Prokurorisë donte të sqaronte një debat mes tij dhe Shpëtimit. Mendohet se dy vëllezërit kanë debatuar në prani të gruas së Shpëtim Marës dhe djalit 2-vjeçar. Shkak i debatit ka qenë dyshimi se Luan Mara ka pasur marrëdhënie intime me gruan e të vëllait, në kohën kur Shpëtimi ndodhej emigrant në Greqi. Pasi janë përleshur, Luan Mara është larguar, por më vonë është kthyer në banesën e të vëllait i armatosur. Shpëtim Mara, gruaja e tij dhe djali 2-vjeçar kanë qenë pranë sobës kur janë qëlluar me breshëri arme. Viktimat u gjetën pa jetë të nesërmen në mëngjes.

Argumentet e Kushtetueses
1- Është provuar në rrugë gjyqësore se i pandehuri Luan Mara është marrë në pyetje në mjediset policore pa praninë e mbrojtësit ligjor. I pandehuri ka pretenduar se është detyruar të nënshkruante deklarimin në të cilin pranonte fajin, si pasojë e dhunës së vazhdueshme të ushtruar ndaj tij nga punonjës policie.
2- Prokuroria ka paraqitur para gjykatës, si prova në ngarkim të të pandehurit, procesverbalin e pyetjes së tij dhe një eksperiment hetimor, nga të cilat, sipas Prokurorisë, provohet fajësia e të akuzuarit.
3- Ndaj personit të marrë në pyetje nuk mund të përdoren metoda ose teknika për të ndikuar mbi vullnetin e lirë të tij. Gjykata konstaton se sipas aktit të ekspertimit mjekoligjor, të kryer me kërkesën e prokurorit, tek i ndaluari Luan Mara janë vërejtur ekimoza në nofull dhe në shputat e këmbëve.
4- Gjykatat, krahas pohimit që ka bërë Luan Mara për veprën para punonjësve të Policisë në dhomat e paraburgimit, kanë konsideruar të besueshëm një eksperiment hetimor ku, sipas tyre, ai ka treguar se si ka ndodhur ngjarja. Kushtetuesja çmon se ky eksperiment i kryer nga organet e Policisë, menjëherë pasi kërkuesi ka inkriminuar veten dhe në rrethanat e përshkruara më lart, për më tepër pa praninë e mbrojtësit dhe të prokurorit, është i pabesueshëm.

BERAT/ DILAVER XHELILI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›