E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mark Marku: PD, kontratë e ekip të ri për mandatin e tretë

Interviste/ Flet deputeti i PD: Disa ministra duhet të ndryshohen, koha i ka tejkaluar. Topalli për Presidente.

Nano përfaqëson socialistët, Topalli të djathtën historike shqiptare

Deputeti i PD shprehet se Kushtetuta nuk e përjashton konsensusin në zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm.

Për deputetin e PD-së, Mark Marku, koalicioni qeverisës duhet të rikonceptojë programin dhe ekipin për të kërkuar një mandat të tretë nga shqiptarët në zgjedhjet e vitit 2013.
Sipas Markut, një prej zërave më të spikatur në Grupin e PD, maxhoranca duhet të rishpikë vetveten. I pyetur për ndryshimet në qeveri, Marku thotë se duhet të bëhen në funksion të objektivit për një kontratë të re me qytetarët. Përjetësimi i ndonjë mediokri apo ndonjë tipi pa kurrfarë vlere në postet ministrore, siç po ndodh me qeverisjen tonë, nuk reflektohet pozitivisht në cilësinë e qeverisjes, përkundrazi, shprehet deputeti i PD.
Z. Marku, Grupi juaj Parlamentar do të ketë tani e tutje një deputet më pak pas largimit të Gazmend Oketës. Çfarë domethënie politike ka për ju ky largim në kushtet kur ai ka deklaruar se do ti bashkohet një lëvizjeje e re politike djathtas me në krye Bamir Topin?
Largimi i zotit Oketa nga PD-ja, në një farë mënyre pritej, pasi marrëdhëniet mes tij dhe PD-së ishin ftohur prej kohësh. Natyrisht, nuk ndjehesh mirë kur një koleg, dhe për më tepër një koleg për të cilin ti ke respekt të veçantë, largohet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Pavarësisht kësaj, unë jam kundër largimit prej një formacioni politik në emër të të cilit je votuar dhe kalimit në një formacion tjetër politik. Një veprim i tillë nuk është korrekt as me elektoratin që të ka votuar, as me formacionin politik në emër të të cilit ke konkurruar. Megjithatë, tashmë pas njëzet vjet jete demokratike, është krijuar kultura politike e domosdoshme që akte të tilla të përjetohen si shprehje të lirisë individuale dhe si të tilla të trajtohen.
Për sa i përket formacionit të ri që mund të krijohet nga zoti Topi, nuk kam ndonjë pritshmëri të madhe. Zoti Topi e ka pasur mundësinë për ta shfaqur profilin e vet politik në shumë pozicione të larta politike që nga ajo e ministrit, e nënkryetarit dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së e deri tek ai i Presidentit të Republikës. Në të gjitha rastet, performanca e tij ka qenë jo shpresëdhënëse. E shoh si figurë flegmatike që përmbush mirë role dekorative, ndërkohë që në role të para nuk shfaq ndonjë talent. Në gjykimin tim ai është shumë larg profilit të një politikani vizionar që mund të marrë përsipër barrë të madhe dhe me rëndësi për fatet e vendit. Është pak e vështirë të parashikosh se si do të jetë partia e re e krijuar prej tij, pasi gjatë periudhës së deritashme të veprimtarisë së tij politike ai nuk ka artikuluar ndonjë ide politike, nuk ka shprehur ndonjë vizion politik dhe nuk ka promovuar ndonjë model të ri politik. E vetmja gjë që ai ka pasur mundësi të krijojë në këto vite dhe që na jep mundësi të përfytyrojmë formën e strukturës së ardhshme politike të drejtuar prej tij, është Presidenca e Republikës. Stafi i tij, me ndonjë përjashtim të vogël, ka rezultuar të jetë një koleksion amorf mediokritetesh të majta, të mbledhura aty jo sipas kritereve profesionale apo logjikës politike, por mbi bazën e afiniteteve personale. Megjithatë, le të shohim.
Një reagim i juaji pas tërheqjes së z.Oketa nga Grupi i PD u komentua sikur ju i dhatë të drejtë atij për çështjen e mbledhjeve të Grupit Parlamentar të PD, që pak a shumë u ngjajnë mbledhjeve të ish-Byrosë Politike. A mund ta sqaroni këtë qëndrim tuajin?
Po, është e vërtetë që kam thënë se ai ka drejtë në disa vërejtje që kanë të bëjnë me mënyrën se si funksionojnë strukturat e PD-së dhe mbledhjet e Grupit tonë Parlamentar, edhe pse ajo që kam thënë unë është interpretuar në mënyrë shumë krijuese nga mediat. Natyrisht, nuk i kam krahasuar mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD-së me mbledhjet e Byrosë Politike, siç është thënë në shtyp, sepse ato të tilla nuk janë, por kam thënë se shpeshherë ato karakterizohen nga formalizmi dhe konformizmi. Kam thënë gjithashtu se për këtë përgjegjësia është sa e forumeve, aq edhe e ne deputetëve që marrim pjesë në këto mbledhje. Personalisht jam për një marrëdhënie tjetër mes deputetit dhe Grupit Parlamentar apo forcës politike ku aderon. Roli i deputetit është më i dobishëm kur deputetët e shfrytëzojnë hapësirën e lirisë dhe të demokracisë parlamentare gjithnjë duke ruajtur një ekuilibër mes lirisë politike dhe veprimit të organizuar institucional brenda forcës politike ku aderojnë. Nga përvoja e deritanishme kam parë se ky ekuilibër është i zhbalancuar në favor të disiplinës, gjë që mendoj se është e dëmshme si për deputetët, ashtu dhe për forcat politike ku aderojmë. Gjithashtu e kam parë konsumimin publik të deputetëve nëpërmjet leximit të deklaratave të pakuptimta si një mënyrë joefikase të përballimit politik të kundërshtarëve apo të komunikimit politik.
Maxhoranca aktuale ndodhet në vitin e shtatë të qeverisjes, në kërkim të një mandati të tretë në zgjedhjet e 2013-s. Çfarë duhet të ndryshojë, sipas jush, në ofertën aktuale të kësaj maxhorance për publikun, në mënyrë që pas një viti të jetë më e përgatitur për fushatën e zgjedhjeve parlamentare?
Bilanci pozitiv i qeverisjes shtatëvjeçare të PD-së dhe të koalicionit qeverisës të saj e bën krejt legjitim pretendimin për një mandat të tretë. Por fitorja e një mandati të tretë qeverisës është shumë më e vështirë se fitorja e dy mandateve të para, pasi natyrshëm kemi një konsumim të pashmangshëm për shkak të ushtrimit të gjatë të pushtetit gjë që e bën më hezitues dhe më vigjilent elektoratin në momentin e votimit për herë të tretë. Mandati i dytë u fitua ngaqë shtresa të caktuara shoqërore apo grupe të caktuara interesi kërkonin përmbushjen e një cikli pozitiv qeverisje të hapur me mandatin e parë. Ndërkohë, mandati i tretë mund fitohet vetëm nëse oferta elektorale është e jashtëzakonshme. Për këtë arsye, PD dhe koalicioni qeverisës duhet ta rikonceptojnë thellësisht programin dhe ekipin realizues të programit, duhet të rishpikin vetveten. Sjellja jonë e ardhshme elektorale duhet të jetë diçka përtej instinktit të ruajtjes së pushtetit. Duhet një kontratë e re me qytetarët shqiptarë, e qartë, e detajuar në imtësitë më të vogla, me të gjitha garancitë e domosdoshme. Mendoj se është e rëndësishme që të krijohet një bërthamë pune, të fillojë analiza, mbledhja e ideve dhe të hapet komunikimi me qytetarët shqiptarë. A do të jemi ne të zotët ta bëjmë këtë kapërcim? Përvoja e deritanishme ka treguar se zoti Berisha e ka aftësinë, vullnetin dhe forcën për ta bërë një gjë të tillë.
Ka pasur pak zëra kritikë nga brenda maxhorancës që publikisht kërkojnë ndryshime në qeveri dhe, nga ana tjetër, Kryeministri është përgjigjur se nuk do të veprojë si maxhoranca socialiste që në 8 vjet ndryshoi 74 ministra. Cili është opsioni juaj, a ka nevojë për ndryshime në qeveri dhe cilat janë pikat më të dobëta të qeverisjes ku mund të ndërhyhet me figura të reja?
Ndryshimet në qeveri duhen bërë në funksion të atij ridimensionimi të domosdoshëm që përmendëm më sipër, dhe jo për shkak se duhen ndërruar disa ministra për ti zëvendësuar me disa të tjerë në mënyrë që individë të etur për poste ministrore të kenë mundësinë për tu ulur një herë në karrigen e ministrit. Filozofia e përmbushjes së ambicies ministrore të secilit (me një bilanc prej 74 ministrash), i fashiste disi grindjet dhe sherret brenda familjes socialiste, por nuk i shërbente përmirësimit të nivelit të qeverisjes. Por, ama, edhe përjetësimi i ndonjë mediokri apo ndonjë tipi pa kurrfarë vlere në postet ministrore, siç po ndodh me qeverisjen tonë, nuk reflektohet pozitivish

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›